Presidenti i Finlandës Niinisto tha të martën se Turqia ka rënë dakord të mbështesë anëtarësimin e përbashkët të Finlandës dhe Suedisë në NATO, në ditën e parë të samitit të aleancës në kryeqytetin spanjoll Madrid.
Niinisto tha se përparimi erdhi pasi të tre vendet nënshkruan një memorandum të përbashkët “për të zgjeruar mbështetjen e tyre të plotë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së njëri-tjetrit”.
Bisedimet trepalëshe midis Turqisë, Finlandës dhe Suedisë, të mbajtura në Madrid në margjinat e samitit të NATO-s, zgjatën mbi dy orë.
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto dhe kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, diskutuan aplikimet e vendeve nordike për t’iu bashkuar aleancës, si dhe shqetësimet e Ankarasë në lidhje me këtë çështje.
Muajin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me aleancën, vendim që u nxit nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Por Turqia, një anëtare e aleancës, shprehu kundërshtime ndaj aplikimeve të anëtarësimit, duke kritikuar të dy vendet për tolerimin dhe madje edhe për mbështetjen e grupeve terroriste.
Stoltenberg vazhdimisht ka thënë se Turqia ka “shqetësime legjitime në lidhje me luftën e saj kundër terrorizmit.”