Fjalë Kyçe

Turqia ka dëbuar mbi 8500 të dyshuar për terrorizëm

Turqia ka dëbuar mbi 8500 të dyshuar për terrorizëm

Më shumë se 8500 luftëtarë të huaj janë dëbuar nga Turqia që nga fillimi i luftës civile siriane 10 vjet më parë. Njoftimin e bëri Ministria e Brendshme e Turqisë.

Të dyshuarit për terrorizëm ishin nga 102 vende, përfshirë 44 nga Shtetet e Bashkuara dhe 1.075 nga shtetet e Bashkimit Evropian (BE), thuhet në një deklaratë të ministrisë turke. Në dhjetë muajt e parë të vitit 2021 në tetë vende të BE-së janë deportuar 61 të dyshuar, raportojnë mediet e huaja.

Autoritetet turke thanë se dëbimi i gjithsej 8.585 luftëtarëve u bë si rezultat i përpjekjeve të vendit për të ofruar siguri brenda dhe jashtë kufirit që nga viti 2011.

Këta persona ishin larguar nga vendet e tyre për t’iu bashkuar grupeve militante si Shteti Islamik dhe Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), si dhe dega e saj në Siri.

Turqia ka kryer tre fushata ushtarake në veri të Sirisë që nga viti 2016 dhe mban një prani ushtarake në provincën veriperëndimore të Idlibit, si dhe zona të tjera brenda kufirit sirian. Aktualisht po kryen operacione kundër PKK-së në Irakun verior.

Grupi Shteti Islamik kreu një numër sulmesh të mëdha terroriste në tokën turke në 2015 dhe 2016 pasi Ankaraja iu bashkua koalicionit ndërkombëtar për të luftuar militantët. Sulmet me bomba dhe me armë lanë qindra të vdekur.

Konflikti me PKK ka shkaktuar shumë të vdekur që kur grupi filloi fushatën e tij të armatosur në Turqinë juglindore në vitin 1984. PKK konsiderohet një organizatë terroriste nga SHBA dhe shumica e shteteve perëndimore.