Planet e Turqisë për blerjen e sistemit raketor rus nuk do të krijojnë distancë me NATO-n, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar.
Ai theksoi se SHBA-ja nuk duhet ta përjashtojë Ankaranë nga projekti i blerjes së aeroplanëve luftarakë amerikan F35.
Aleatet e NATO-s, SHBA-ja dhe Turqia për një kohë të gjatë janë në mosmarrëveshje lidhur me planet e Turqisë për blerjen e sistemit rus.
SHBA-ja thotë se pajisjet ushtarake ruse nuk përputhen me ato të NATO-s dhe se kërcënojnë sistemin e aeroplanëve F35 të cilët planifikon të ia shesë Ankarasë.
Në një intervistë për televizionin turk NTV, ministri Akar tha se duke përjashtuar Turqinë, amerikanët do të shkaktonin problem “shumë serioz” edhe ndaj partnerëve të tjerë në projekt.
Gjatë kësaj jave presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, gjatë një bisede telefonike diskutuan propozimin turk që përmes një grupi punues të përbashkët të adresojnë mosmarrëveshjet rreth planeve të Ankarasë për blerjen e sistemit rus.
Kohë më parë Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe disa senatorë të SHBA-së kanë paralajmëruar Turqinë se do të ndëshkohet sipas një ligji që kërkon sanksione kundër vendeve që marrin pajisje ushtarake nga Rusia.