Fjalë Kyçe

Turqia prodhon trenin elektrik, nisin testimet e para

Turqia prodhon trenin elektrik, nisin testimet e para

Testet e pranimit të fabrikës kanë filluar për trenin e parë elektrik vendor të Turqisë, bëri të ditur sot ministri i Industrisë dhe Teknologjisë së Turqisë, Mustafa Varank, raporton AA.

“Edhe gjatë pandemisë së koronavirusit, personeli i Korporatës së Industrisë së Vagonëve (TUVASAS) ka vazhduar të punojë shumë për të përfunduar projektin”, tha Varank gjatë ceremonisë së testimit në provincën perëndimore të vendit Sakarya.

Falë këtyre përpjekjeve, treni ka arritur në fazën e testimit. Pas provave të fabrikës, testimi hekurudhor do të fillojë në fund të gushtit, nënvizoi Varank.

Treni, i projektuar për udhëtim ndërkombëtar mund të prodhohet për 20 për qind më pak se modelet e krahasueshme të importuara, tha ai, duke lavdëruar shkallën e lartë të prodhimit të tij vendor, përfshirë sistemin e tij kryesor të kontrollit, monitorimit, klimës dhe ndriçimit.

Prototipi është prodhuar 60 për qind me burime vendore dhe kjo mund të arrijë 80 për qind në fazën e prodhimit në masë, tha ai.

Varank theksoi se vëllimi vjetor i sektorit global të sistemeve hekurudhore është rreth 160 miliardë euro (180 miliardë dollarë) dhe pritet të rritet me shpejtësi.

Turqia mund të jetë një lojtar global në këtë fushë dhe do të shpenzojë 15 miliardë euro për sistemet hekurudhore në dekadën e ardhshme, shtoi ai.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Adil Karaismailoğlu tha se TUVASAS, e cila u krijua si një strukturë për riparimin e trenave, është bërë prodhuesi më i madh i sistemit hekurudhor në Lindjen e Mesme.

Duke theksuar se TUVASAS do të vazhdojë operacionet e tij nën emrin e kompanisë së industrisë së shërbimeve të sistemit hekurudhor të Turqisë (TURASAS), tha se ministria do t’u jepte prioritete projekteve hekurudhore në periudhën e ardhshme.

“Do të punojmë që ta bëjmë Turqinë një qendër të rëndësishme të prodhimit hekurudhor”, tha Karaismailoğlu.

“Vendi ka shpenzuar 880 miliardë lira (338.46 miliardë dollarë) në infrastrukturën e transportit dhe komunikim gjatë 18 viteve të fundit dhe 162 miliardë lira (62.3 miliardë dollarë) kësaj shume ka qenë në sistemet hekurudhore”, nënvizoi ai.