Me pankarta në duar, me mbishkrime “KEDS po e sfidon gjyqësorin, “Gjyqtarë pse po heshtni”, punëtorët e larguar nga KEDS-i, sot kanë protestuar para Gjykatës Themelore dhe para Gjykatës së Apelit në Prishtinë.
Remzi Demaj, nga njësia e distriktit të Prishtinës, ka thënë se edhe pse qe tre muaj është vendimi i prerë i gjykatës në favor të 78 punëtorëve, KEDS-i nuk po reflekton ndaj punëtoreve me arsyen se lënda është në proces, raporton kp.
Ai tha se do të protestohet në vazhdimësi në mënyrë paqësore për arritjen e qëllimeve.
Ndërsa, Musa Nimani, nga njësia e distriktit të Mitrovicës tha se nëse nuk kthehen në punë, do të kërkojnë edhe nga gjykata e Strasburgut drejtësi, si dhe do të protestojnë edhe para ambasadave në Prishtinë.
Edhe Gëzim Jëlliqi nga distrikti i Prizreni ka kërkuar që të zgjidhet çështja e punëtorëve të larguar nga menaxhmenti i KEDS.