Fjalë Kyçe

U plagos në luftë, nuk mori statusin e invalidit

U plagos në luftë, nuk mori statusin e invalidit

Xhemajl Bytyqi nga Suhareka nuk merr statusin e invalidit ani pse ishte pjesë e luftës, akuzon Komisionin për manipulime

Ka ardhur nga Suhareka për të kuptuar vendimin pasi aplikoi për statusin e invalidit të luftës.
Xhemajl Bytyqit, i cili thotë se ka qenë luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu refuzua kërkesa për të qenë pjesë e invalidëve të luftës që marrin pension.
Ai ka pakënaqësi për mënyrën si u trajtua lënda e tij. Bytyqi tregon pse aplikoi për këtë status gati 20 vite pasi përfundoi lufta.

‘’Kam apliku.. nuk du lëmoshë po du cka më takon, m’ka rrok nji pjesë e granatës…’’
Bytyqi pakënaqësi të theksuara ka në raport me Komisionin Qeveritar për Verifikimin e Invaliditetit të ish ushtarëve të UÇK-së.
‘’Komisionet po bajnë dallavere, po ja japin gjithkujt e unë që kam luftu e dijnë krejt që…’’
Ndërkaq, drejtoresha e departamentit të Luftës në kuadër të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale, Sanije Rexha pohon se ka pasur vonesa në shqyrtimin e lëndës së Bytyqit.

“Pas 9 muajve ka hyrë në Komision… ka vonesë në shqyrtimin e lëndës për shkak të numri të madh të lëndëve….”.

Edhe Rexha, thotë se Komisionet Qeveritare të shkallës së parë dhe të dytë, nuk po e bëjnë punën e verifikimit si duhet.

“Me thanë të drejtën, unë… jam e pakënaqur”

Por, Arbër Morina, kryetar i Komisionit në shkallën e parë, tregon kriteret mbi të cilat vendoset t’I jepet ose jo dikujt statusi I invalidit.

‘’Asnjë aplikues nuk mund të kalojë pa ju kontrolluar plagët, pavarësisht ku është plaga…’’

Morina i cili vetë ka qenë mjek lufte më 1999, përjashton çdo mundësi të manipulimit dhe keqpërdorimit brenda Komisionit që ai drejton.

‘’Ua jap fjalën e nderit, që asnjë ndikim apo keqpërdorim… kemi presione të llojllojshme…’’

Edhe në Shoqatën e Invalidëve të Luftës, shprehen të kënaqur me punën që po bëjnë dy Komisionet.

‘’Kemi një vëzhgues në Komisione, jemi të kënaqur me punën dhe përzgjedhjen.. ata janë profesionistë…’’

Secili Komision Qeveritar përbëhet nga tre doktorë specialist, një kirurg, një psikiatër dhe një ortoped të cilët vendosin për shkallën e invaliditetit të ish ushtarëve të UÇK-së.

Palët e pakënaqura, pas refuzimit në shkallën e parë dhe të dytë, kanë të drejtë që lëndën ta dërgojnë edhe në Gjykatë.