Fjalë Kyçe

Uji ende nuk mund të përdoret për pije, vazhdon të ketë mangan në liqenin e Badocit

Uji ende nuk mund të përdoret për pije, vazhdon të ketë mangan në liqenin e Badocit

Prania e manganit në liqenin e Badocit, është ende e lartë, rrjedhimisht uji s`mund të përdoret për pije dhe zierje.

Qytetarët po furnizohen me ujë në mënyra të ndryshme. Furnizimi po bëhet edhe përmes autoboteve të siguruara nga Ujësjellësi i Prishtinës.

Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arieta Mjeku, ka thënë për RTK-në, përmes telefonit se, sikur në ujin e patrajtuar ashtu edhe në atë të trajtuar vazhdon të jetë e lartë sasia e manganit.

Në përgjigjen e Mjekut, thuhet se 0.08 mg për litër është sasia e manganit në sasinë e ujit të patrajtuar. Ndërsa tek uji i trajtuar, 0.03 mg për litër.

Më 4 tetor, banorët e 26 lagjeve të Prishtinës dhe të zonave përreth saj, që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit, janë njoftuar se nuk do të mund ta përdorin atë për pije, për shkak të pranisë së lartë të manganit.

Ndonëse mangani është mineral që konsiderohet si lëndë ushqyese dhe kontribuon në shumë funksione trupore, prania e tij në sasi më të lartë, sesa ajo e lejuar mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe të ketë ndikim në sistemin nervor qendror të njeriut.