Fjalë Kyçe

Ukraina kërkon një takim me Rusinë brenda 48 orëve

Ukraina kërkon një takim me Rusinë brenda 48 orëve

Ukraina ka bërë thirrje për një takim me Rusinë dhe anëtarë të tjerë të një grupi kyç të sigurisë evropiane lidhur me përshkallëzimin e tensioneve në kufirin e saj.

Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba tha se Rusia kishte injoruar kërkesat zyrtare për të shpjeguar rritjen e trupave.

Ai tha se “hapi tjetër” ishte të kërkohej një takim brenda 48 orëve të ardhshme për “transparencë” në lidhje me planet e Rusisë.

Rusia ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht nga grumbullimi i rreth 100,000 ushtarëve në kufijtë e Ukrainës.

Kuleba tha se Ukraina, të premten, kishte kërkuar përgjigje nga Rusia sipas rregullave të Dokumentit të Vjenës, një marrëveshje për çështjet e sigurisë të miratuar nga anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila përfshin Rusinë.

“Nëse Rusia është serioze kur flet për pandashmërinë e sigurisë në hapësirën e OSBE-së, ajo duhet të përmbushë angazhimin e saj për transparencën ushtarake në mënyrë që të de-përshkallëzojë tensionet dhe të rrisë sigurinë për të gjithë”, tha ai.