Fjalë Kyçe

Ukrainasja rrëfen tmerrin nga sulmet e Rusisë: Ikëm të shokuar, ishte një mëngjes i frikshëm

Ukrainasja rrëfen tmerrin nga sulmet e Rusisë: Ikëm të shokuar, ishte një mëngjes i frikshëm

Dasha Tokova, është ukrainasja e cila ka zgjedhur të rrëfejë tmerrin që janë duke përjetuar populli ukrainas pasi Rusia nisi sulmet ndaj Ukrainës nga fronte të shumta në mëngjesin e të enjtes.

Ajo tregon se gjendja atje nuk është aspak e mirë.

“Jemi shumë të lodhur, ishte një mëngjes i frikshëm”, thotë ajo, teksa bën të ditur se aktualisht gjendet në metron më të thellë të Ukrainës në Europë, Arsenalna.

Ky është vendi më i sigurt nga bombardimet, sqaron më tej ajo, derisa thotë se jeton vetëm dhjetë minuta larg metros që gjendet aktualisht.

Tokova, tha se në Kiev, mëngjesi i sotëm nuk ishte i zakonshëm.

“Dëgjuam sirena paralajmëruese dhe të gjithë filluam të vraponim diku për t’u fshehur. Ishte si në filma. Nuk kuptonim se çka po ndodhte, ishim si zombie, këtu të gjithë jemi të shokuar”, e përshkruan ajo më tej gjithë ngjarjen, për papirusi.info.

Daka Tokova thotë se ata nuk kanë pasur asnjëherë një situatë kaq të tmerrshme më herët dhe njerëzit janë shumë të frikësuar.

“U zgjova në 6 të mëngjesit nga fakti se sirenat po binin dhe realisht nuk po kuptoja se çka po ndodhte. Më pas më telefonoi nëna dhe shoqëria të cilët më thanë se duhej të mblidhja gjërat e nevojshme”, u shpreh ajo.

Në rrëfimin e saj Tokova tregon se pas kësaj shpejt shkoi në një dyqan për të blerë diçka për të ngrënë por pas sirenës së dytë vazhdoi të fshihej në metro.

“Objektet ushtarake dhe strategjike po bombardohen gjithandej Kievit. Kievi është qëllimi tyre kryesor”, shprehet ajo.

“Qyteti i madh duket sikur ka vdekur, të vetmet që po dëgjohen aktualisht, janë vetëm bombardimet”, tha Tokova.