Fjalë Kyçe

Ulet tarifa për depozitim të monedhave në BQK

Ulet tarifa për depozitim të monedhave në BQK

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për lehtësim të qarkullimit të parave të gatshme në ekonomi, Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se këtë fillimvit ka rishikuar tarifat që i aplikon ndaj bankave për transaksionet e ndërsjella monetare.

“Rrjedhimisht, është zvogëluar tarifa për depozitimin e monedhave metalike të denominuara në euro në BQK nga 5,00% në 3,75%. Ky ndryshim do të jetë efektiv nga data 1 mars 2022”, ka njoftuar BQK-ja.

Vendimi për zvogëlimin e tarifës për depozitimin e monedhave metalike të denominuara në euro është marrë në mbledhjen e Bordit Ekzekutiv të BQK-së.

BQK-ja pret që tarifa e ndryshuar të ndikojë në ngritjen e qasjes si të qytetarëve ashtu edhe të bizneseve në shërbimet e bankave vendore me para të gatshme.

Kostoja aktuale për BQK-në për realizimin e operacioneve të lidhura me aktivitetin bankar të depozitimit të monedhave metalike vazhdon të mbetet e konsiderueshme.

Sa i përket furnizimit me monedha metalike të denominuara në euro, që nga viti 2015, tarifa e aplikueshme për bankat vendore për tërheqje është 0,00% (falas).