Nestori është babai i një vajze 6 javësh, por që tani ka arritur të zbulojë se e bija e pëlqen vallëzimin. Ne jemi të bindur se më tepër se muzikën e vallëzimin ajo do ngrohtësinë e krahëve të babait.
“Po ecnim rrugës në Helsinki dhe ajo nuk donte të rrinte në karrocë. E mora për një vallëzim për ta qetësuar”, rrëfen Nestor Furxhi.
Baballarët si Nestori janë të rrallë, e këtë nuk mund ta kuptonim vetëm nga kjo video. Ndaj “Gazeta shqiptare” e kontaktoi për të na rrëfyer jetën e tij prindërore.
Nuk është e habitshme që një prind të kujdeset për fëmijën, është detyrë, por kur në mes janë baballarët shqiptarë, koncepti relativizohet. Le të flasim pak për Nestorin.
Ai ka qenë pranë vogëlushes së tij në sallën e lindjes. E ushqen, e ndërron dhe ndjek të gjitha vizitat shëndetësore.
“I këndoj, i flas, i vë muzikë, e përkëdhel. Dua që të mësojë shqipen se e kam gruan finlandeze dhe ajo nuk flet shqip. Kështu që unë i flas shqip, ajo finlandisht. Dua që të jem prezent në jetën e saj dhe të siguroj që ajo të ketë një fëmijëri të shëndetshme. Është sfidë dhe përgjegjësi e madhe të jesh baba”, tregon ai.
Ai mezi pret t´i njohë karakterin, ndërsa për momentin kënaqet nga kumunikimi me sy e buzëqeshjet.
Emrin e vogëlushes nuk ua thamë. Sipas traditës finlandeze, ajo do të ketë tre emra. Duhen edhe pak ditë që miqtë dhe të afërmit të mblidhen për të festuar ditën kur shpallet emri i saj.
Prindërit kanë vendosur që mes tre emrave njëri të jetë shqiptar.
E ne s’na mbetet te themi gjë tjetër veç urimeve, qofsh jetëgjatë vajza e babait.