Fjalë Kyçe

Vaksina kineze Sinovac kthen qytetin brazilian në normalitet

Vaksina kineze Sinovac kthen qytetin brazilian në normalitet

Vetëm një pacient me COVID-19 është në gjendje kritike në klinikën “DR. Geraldo Cesar Reis” në Serrana, një qytet me afro 46 mijë banorë në Sao Paulo të Brazilit. Një grua 63-vjeçare kishte refuzuar vaksinën që u ofrua për çdo të moshuar në Serrana si pjesë e testimeve, raporton agjencia AP.

Mjekët thonë se gruaja po priste vaksinën e Pfizerit, që është raritet në Brazil. Por, ajo është përjashtim këtu. Shumica e të rriturve kanë pranuar kur u është ofruar vaksina antiCOVID e prodhuar nga kompania farmaceutike kineze Sinovac, dhe eksperimenti e ka kthyer komunitetin gati në normalitet në një shtet ku shumë qytetarë po vuajnë nga pandemia.

Mjekët që kanë trajtuar COVID-19 në Serrana kanë parë se si numri i pacientëve ka rënë. Së fundi ata kanë nisur të hanë drekë në shtëpi, pasi është ulur volumi i punës. Rrugët janë gjallëruar. Fqinjët bisedojnë dhe po ka edhe dreka familjare. Personat që më herët nuk kishin arsye për ta vizituar Serranan tash po e vizitojnë atë për të prerë flokët apo për të dalë në restorante.

“Tash jemi aq plotë sa ishim dikur. Javë më parë, njerëzit nuk hanin jashtë këtu, madje as që i lija të përdornin toaletin. Tash është kthyer normaliteti”, thotë Rogerio Silva, që ka një shitore në Serrana.

Organizata Botërore e Shëndetësisë të martën ka autorizuar për përdorim emergjent vaksinën e Sinovacut për personat mbi 18 vjet, autorizimi i dytë që i është dhënë një kompanie kineze.

Eksperimenti në Serrana i njohur si “Projekti S”, zgjati katër muaj dhe testoi vaksinën e Sinovacut në kushtet e botës reale. Rezultatet preliminare, të bëra publike të hënën, sugjerojnë se pandemia mund të kontrollohet nëse tri të katërtat e popullatës vaksinohen plotësisht me vaksinën e Sinovacut, ka thënë Ricardo Palacios, drejtor i Institutit Butantan në Sao Paulo dhe koordinator i studimit.

“Rezultati më i rëndësishëm ishte se kuptuam se mund të kontrollojmë pandeminë pa vaksinuar tërë popullatën”, thotë Palacios.

Rezultati ofron shpresë për qindra miliona qytetarë, veçanërisht për ata në shtetet në zhvillim. Egjipti, Pakistani, Indonezia, Zimbabve dhe shtetet tjera janë të varura nga vaksina kineze, që është më e lirë se vaksinat e Pfzierit dhe Modernas.

Popullata e qytetit ishte ndarë në katër zona gjeografike pavarësisht moshës dhe gjinisë, dhe shumica e të rriturve morën dy doza të vaksinës deri në fund të prillit. Rezultatet e publikuara të hënën tregojnë se pandemia është kontrolluar pasi tri zona janë vaksinuar. Nuk është e qartë nëse numri i të vaksinuarve ishte i njëjtë në secilën zonë.

Por Serrana ka parë përmirësim të madh. Vdekjet nga COVID-19 kanë rënë për 95 për qind, hospitalizimet për 86 për qind dhe rastet simptomatike për 80 për qind.

“Projekti tregon se mbrojtja ekziston dhe se vaksina është efikase. Nuk ka dyshim”, thotë Gonzalo Vecina, nga rregullatori shëndetësor në Brazil.

Edhe Denise Garrett, zëvendëspresidente e Institutit Sabin, që avokon për zgjerimin në qasjen në vaksina, ka quajtur rezultatet “ të mira dhe shumë inkurajuese”.

Por si Vecina ashtu edhe Garrett thonë se ka ende pyetje që duhet marrë përgjigje, përfshirë edhe personat që kanë marrë dy doza të vaksinës por nuk kanë zhvilluar imunitet.

Përhapja e virusit në Serrana është ngadalësuar, ndërsa në komunitetet si Ribeirao Preto, vetëm 20 kilometra në perëndim, është rritur numri i rasteve me COVID-19. Përhapja i është atribuuar variantit brazilian të koronavirusit, që është më ngjitës.

Spitalet në Ribeirao Preto janë plotë me pacientë me COVID-19, ndërsa javën e kaluar janë vendosur masa të ashpra kufizuese.

Disa do të duhet të presin me muaj për vaksina. Gati gjitha shitoret janë të mbyllura, 95 për qind e shtretërve në kujdesin intensiv janë të zënë me pacientë të infektuar me koronavirus.

Elmano Silveira 54-vjeçar, që punon në një farmaci në Ribeirao Preto, thotë se për herë të parë uron që të kishte jetuar në Serrana.

“Para pandemisë, ne kishim atmosferë të madhe në qytet. Tash është si shkretëtirë”, ka thënë Silveira.

Vetë pak muaj më parë, Serrana, e kishte të vështirë të përballonte pandeminë. Për çdo pacient që rikuperohej nga pandemia në tre muajt e parë të vitit 2021, dy të tjerë vinin në gjendje të rëndë.

“Në fund të janarit ne dëgjuam se projekti po vinte në Serrana. Dhe qetësia u kthye gradualisht”, thotë mjeku Joao Antonio Madalosso Jr.

Nuk nënkupton se Serrana ka larguar plotësisht virusin. Disa banorë refuzuan të vaksinoheshin. Të tjerët refuzuan të merrnin dozën e dytë apo u infektuan para se vaksina të jepte efektin e plotë. Disa e kishin virusin rishtazi dhe nuk ishte e mundur të vaksinoheshin.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, vazhdimisht ka vënë në dyshim efikasitetin e vaksinës. Ai ka thënë vitin e kaluar se administrata e tij nuk do ta blejë vaksinën kineze dhe se nuk do të lë brazilianët të bëhen “kavje laboratori”. Ministria e Shëndetësisë e tij firmosi marrëveshje për të blerë dhjetëra miliona doza të vaksinës vetëm pasi u aprovua nga rregullatori brazilian në janar.

Po të vepronte qeveria më shpejt, Brazili do të mund të kishte dyfishë më tepër vaksina të Sinovacut deri më tash, deri 100 milionë doza, thotë kreu i Institutit Butantan, Dimas Covas.

Vaksina erdhi vonë për disa prej mbi 463 mijë personave që vdiqën nga COVID-19 në Brazil, që ka shifrën e dytë më të madhe të vdekurve në botë nga pandemia pas SHBA-së.

Kryebashkiaku i Serranas, Leo Capitanelli, është i lumtur me rezultatet që ka sjellë vaksina e Sinovacut. Ai ka thënë se njerëzit kanë pasur vetëm raste të lehta me COVID-19 në javët e fundit. Dhe ai ka treguar planet që Serrana të organizojë një festival muzikor me 5000 spektaktorë, të gjithë të vaksinuar me vaksinën e Sinovacut.

“Projekti na ka kthyer krenarinë. Dhe do të sjellë shpresë për një rifillim vitin e ardhshëm”, thotë ai.