Komisioni Evropian (KE) ka ndarë njëqind milion euro për zhvillimin e testeve të shpejta për koronavirusin, ka thënë presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.
Sipas saj, vaksina e parë pritet në fund të vitit, por edhe atëherë do të jetë thelbësore për qytetarët që të mbajnë maska dhe të mbajnë distancën fizike, sepse vala e tretë e pandemisë paraqet kërcënim.
Ajo tha në Bruksel se vendet anëtare të BE-së po punojnë në drejtim të unifikimit të rregullave dhe përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, sepse, siç tha “situata është shumë e rrezikshme”.
Deklaratat e saj u bënë një ditë para se krerët e shteteve ose qeverisë të vendeve anëtare të zhvillojnë një takim, në të cilin do të diskutojnë për harmonizimin e rregullave të udhëtimit brenda kufijve të Bashkimit Evropian dhe funksionalizimin e një aplikacioni telefonik për luftimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
“Në fund të vitit, ne llogarisim që do të kemi vaksinën dhe duhet të sigurohemi që ajo të jetë efektive në 70% të rasteve, duke përfshirë njerëz mbi moshën 65 vjeç”, tha Ursula von der Leyen.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fillim të këtij muaji ka qenë në vetizolim, mirëpo më pas njoftoi se testi i saj për koronavirus ka dalë negativ.
Vendet evropiane kanë raportuar për rritje të numrit të të infektuarve dhe vdekjeve nga COVID-19. Shumica e këtyre vendeve tashmë kanë ndërmarrë masa shtesë të izolimit kundër përhapjes së koronavirusit.