Një valë e zgjatur e të nxehtit ka përfshirë Evropën Lindore dhe Ballkanin me temperatura që arrijnë dhe kalojnë 40 gradë celsius. Vala e nxehtësisë që u intensifikua në fillim të kësaj jave do të vazhdojë edhe në vijim, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Temperatura maksimale për 7 ditët e ardhshme pritet të kalojë 42-44°C (10-12°C mbi vlerën mesatare të periudhës 1991-2020) në shumë zona të Ballkanit, përfshirë edhe Greqinë ku pritet kulminacioni i nxhetësisë. Kjo valë e të nxehtit pritet të zgjasë të paktën deri më 19 korrik.
Sipas shërbimeve meteorologjike rekorde mujore por edhe absolute të temperaturave pritet të thyhen në 10 ditët e ardhshme.
Përveç temperaturave shumë të larta maksimale në mesditë, temperaturat e larta pritet të qëndrojnë edhe gjatë natës, ku në shumë zona dhe veçanërisht në qendrat e mëdha urbane temperatura nuk pritet të bjerë nën 28-30°C.
Dita e sotme, e premte do të sjellë temperaturat më të larta për këtë vapë të kësaj jave. Temperaturat maksimale do të arrijnë rreth 38-42 gradë Celsius në jug të Italisë dhe gadishullin verior të Ballkanit, veçanërisht në Kroacinë lindore, Serbinë veriore dhe Hungarinë. Pjesë të Rumanisë, Bullgarisë gjithashtu parashikohet të përjetojnë temperatura deri në 40 gradë.
Në vendet e rajonit që në fillim të javës janë aktivizuar alarmet paralajmëruese e kuqe apo portokalli, duke paralajmëruar temperatura shumë të larta dhe meteorologët bëjnë thirrje për kujdes në kushtet e dhëna atmosferike.
Paralajmërime për temperatura të larta, u lëshuan në Kroacinë fqinje. Vendpushimi kryesor turistik i Kroacisë, qyteti jugor i Detit Adriatik i Dubrovnikut, regjistroi temperaturën 28 gradë qysh në agim të ditës, duke sinjalizuar se nuk do të ketë lehtësim kur dielli të perëndojë.
Në Bosnjë dhe Hercegrovinë është raportuar sot për një numër të madh të qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të të nxehtit. Situata në mediat atje është përshkruar si “alarmante”.
Shërbimi Meteorologjik Kombëtar në Greqi lëshoi sot një njoftim emergjent për temperatura të larta.
Sipas EMY , vala e të nxehtit do të “dominojë” vendin deri të premten e datës 19 korrik, ndërsa temperaturat më të larta do të regjistrohen në brendësi të Greqisë kontinentale, kryesisht në perëndim dhe veri, si dhe në ishujt e Egjeut Lindor ku ka mundësi që të arrijnë edhe deri 43 gradë Celsius.
Në Itali, autoritetet paralajmëruan njerëzit që të jenë të kujdesshëm, të ngasin me kujdes nëse shkojnë me pushime, të pinë shumë ujë dhe të shmangin daljen gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Autoritetet italiane shpallën alarm të kuq moti në shtatë qytete të enjten, kryesisht në pjesët qendrore të vendit, por edhe kryeqytetin Romë dhe Trieste në verilindje. Autoritetet komunale të Romës lëshuan një aplikacion dixhital për të ndihmuar njerëzit të gjejnë burimet publike tëujit të pijes pasi temperaturat arritën 38 C të enjten.
Kushtet e të nxehtit përkeqësohen nga lagështia dhe mund të prekin njerëzit e shëndetshëm si dhe ata me probleme shëndetësore, paralajmëruan autoritetet italiane.
Shumë nxehtë pritet të jetë edhe në Shqipëri e Kosovë, ku në Kosovë për sot është paralajmëruar që temperatura të shkojë deri në 37 gardë. Edhe më nxehtë është paralajmëruar për fundjavë, ku sipas Prishtina Weather maksimalja mund të arrijë deri në 39 gradë celsius.