Fjalë Kyçe

Varianti Delta po shkatërron mbrojtjen e suksesshme australiane

Varianti Delta po shkatërron mbrojtjen e suksesshme australiane

Pakënaqësia është rritur në mesin e 13 milionë australianëve – gati gjysma e popullsisë – që të mërkurën është dashur të mbylleshin nëpër shtëpi si pjesë e masave të reja për mbrojtje nga varianti Delta i koronavirusit. Të martën, shteti i tretë australian nisi izolimin. Urdhri për të qëndruar në shtëpi tani është në funksion për Australinë Jugore, Victorian dhe disa pjesë të New South Walesit.

Shumë banorë të këtyre shteteve janë shprehur të pakënaqur që përsëri duhet ta nisin izolimin e rreptë, pak javë pasi i dhanë fund izolimit 18-mujor, ndërkaq hapja e Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka vënë në presion edhe më të madh qeverinë australiane.

Më pak se 14 për qind e njerëzve janë vaksinuar – mesatarja më e ulët në mesin e shteteve të pasura. Kryeministri Scott Morrison është kritikuar për procesin e ngadaltë të vaksinimit, por u ka rezistuar thirrjeve për të kërkuar falje për dështimin.

“Asnjë shtet nuk ka pasur reagim 100 për qind ndaj pandemisë”, ka thënë Morrison të mërkurën. Ai përsëri ka përmendur suksesin e Australisë në kontrollin e përhapjes, krahasuar me shtetet e tjera.

Në Australi kanë vdekur 915 njerëz nga pandemia. Morrison ka thënë se Britania e Madhe ka regjistruar 90 të vdekur vetëm gjatë së martës.

Deri para pak javësh, Australisë i ka funksionuar strategjia e mbylljes së kufijve, programi i karantinës dhe izolimet e shpejta e të shkurtra. Por, varianti Delta i COVID-19 ka sfiduar mbrojtjen australiane që prej muajit qershor.

Përhapja në Sydney, qyteti i dytë më i madh në Australi, ka nxitur panik. Deri më tani janë regjistruar 1 mijë e 500 të infektuar, ndërkaq autoritetet kanë bërë të ditur se vetëm të mërkurën janë 110 raste të reja, ani pse qyteti ka hyrë në javën e katërt të izolimit.

Gjatë ditëve të fundit, paniku është shtuar me raportimet se izolimi mund të zgjasë deri në muajin shtator.

Autoritetet australiane synojnë që t’i eliminojnë të gjitha rastet lokale deri në vaksinimin e shumicës së njerëzve, por eliminimi i rasteve në Sydney mund të marrë muaj të tërë kohë.

Victoria, shtet në të cilin janë konfirmuar 22 raste të reja të mërkurën, do të jetë e izoluar së paku deri të martën e javës së ardhshme.

Kritikët kanë thënë se lajmet për efektet negative të “AstraZenecas” kanë shtyrë australianët që të refuzojnë të vaksinohen me të.

Australia ka vetëm një sasi të kufizuar të vaksinës “Pfizer”, që është më e preferuar në mesin e australianëve.

Gjatë vitit të kaluar, Australia është cilësuar si një prej shteteve më të suksesshme në menaxhimin e pandemisë. “Normaliteti” ishte gjë e zakonshme në qytetet në të cilat njerëzit lirshëm dilnin nëpër restorante dhe klube të natës.

Mbrojtja më e fuqishme e Australisë – mbyllja e kufijve dhe karantina e obligueshme – ka funksionuar në 99 për qind të kohës. Mirëpo, që prej muajit qershor, varianti Delta ka thyer mbrojtjen e Australisë. Brenda një jave janë konfirmuar më shumë se 100 raste me këtë variant.