“Varianti Omicron do t’i infektojë të gjithë, nuk ka shpëtim. Nuk ka asnjë dyshim që deri në fund të vitit 2022, nëse nuk do të dalë ndonjë variant tjetër, pothuajse të gjithë do të infektohemi me këtë variant”.
Kështu është shprehur zëvendësministri italian i Shëndetësisë, Pierpaolo Sileri. “Ata që janë të vaksinuar janë më të mbrojtur dhe e kalojnë infektimin me një formë më të lehtë dhe nuk janë të rrezikuar të përfundojnë në terapi intensive”, shtoi ai.
Më tej, zyrtari italian i shëndetësisë foli edhe për masat ndaj personave të infektuar, duke u shprehur se brenda dy javësh pritet të bëhet një dallim mes atyre që kanë rezultuar pozitivë dhe janë pa simptoma dhe të tjerëve që janë të sëmurë.
“Jam dakord për një rishikim të rregullave dhe kjo do të bëhet në ditët në vijim, ndoshta brenda dy javësh, me nja dallim ndaj personave që janë pozitivë dhe të sëmurëve. Këtë na e mundëson varianti që është duke qarkulluar sot”, tha ai.
Pierpaolo Sileri nënvizoi se sot nuk është në qarkullim vetëm varianti Omicron, por edhe ai Delta dhe ky i fundit është më shqetësues. “Shumica e atyre që janë në terapi intensive janë të infektuar me variantin Delta dhe nuk janë të vaksinuar”, shtoi ai.