Fjalë Kyçe

Vazhdon rritja e çmimeve edhe në disa artikuj bazë

Vazhdon rritja e çmimeve edhe në disa artikuj bazë

Mielli, sheqeri, orizi e kafeja, kanë pësuar edhe njëherë lëkundje në çmime, tregohet në shifrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përmes një përditësimi më të fundit, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Rritja e çmimeve të gjërave elementare ushqimore ka vazhduar në trajektoren e rritjes, ku inflacioni tashmë ka kapur proporcionet e një të pestës.

“Sheqer – Agrokor, Kristal, 5 kg tash janë 5,40, nga 5,26. Miell gruri – Dellino, 5 kg tani shiten me 3,80, ishte 3.75. Oriz – Ducato di Mantova, Gloria, 800 gr aktualisht është 1,33, derisa ditë më parë ishte 1,13”.

“Makarona – Divella, 500 gr kushtojnë 0,94, ditë më parë ishin 0,91. Sheqer – Agrokor, Kristal, 5 kg tash kushtojnë 5,40, ditë më parë ishin 5,26. Ajkë Schmand – Zott 18 %, 400 gr kushtojnë 1,43, ishte 1,31. Kafe e bluar – Prince, 500 gr tash shitet për 6,44, ditë më parë ishte 6,21”, bëhet e ditur në përditësim.

Kosova e ka gjetur veten në krizë ekonomike, ndonëse proklamohet përkundrazi nga qeveria si rritje e paprecedentë ekonomike, e në fakt, të një rritje të paprecedentë çmimesh.

Inflacioni sa ishte në korrik, 14% tashmë ka arritur në 20%, derisa të hyrat e qytetarëve nuk kanë lëvizur nga gjendje e para-inflacionit, përkatësisht kanë pësuar tkurrje në fuqinë blerëse.

Masat e qeverisë, nga njohës të ekonomisë, janë konsideruar si të mangëta dhe defektive, të cilët nuk janë përkthyer edhe në restaurim ose edhe nivelizim të gjendjes.

Në prill të këtij viti, qeveria ndau nga 100 euro pagesa për sektorin publik, privat dhe studentët, ndërsa që nga shtatori, morri masa të reja, për të ndarë nga 50 euro për zyrtarët publikë për 3 muaj, 100 për ndërmarrësit publikë për 1 muaj, si dhe për studentët në muajin nëntor nga 100 euro.

Sektori privat nuk u përfshi në dorën qeveritare, përveç asaj, që për 3 muaj kanë ofruar të subvencionojnë me 50% të shumës së rritjes së pagës për bizneset që ua rrisin pagat punëtorëve, në maksimum deri në 100 euro.

Një iniciativë opozitare për lejimin e tërheqjes së një shume të arsyeshme të TRUST-it penzional u rrëzua nga qeveria, me arsyetimin se opozita dëshiron të rrënojë sistemin penzional, ndonëse ishte kërkesë qytetare, përkatësisht e artikuluar si nevojë karshi barrës së rënduar ekonomike.

Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2019 e denonconte ashpër qeverinë, atëbotë Haradinaj, për 3.7 % inflacion, derisa tani inflacioni mesatar tejkalon 20%.