Autoritetet në një qytet në rajonin kinez të Mongolisë së Brendshme e kanë lëshuar një paralajmërim të dielën pasi një spital e raportoi një rast të dyshimtë të murtajës bubonike, sëmundje e rëndë që njihet edhe si “Vdekja e zezë”.
Komisioni shëndetësor i qytetit Bayan Nur e lëshoi një alarm të shkallës së tretë shkaku i këtij rasti, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Në bazë të këtij alarmi, ndalohet gjuetia dhe ngrënia e kafshëve që mund ta bartin murtajën bubonike dhe kërkohet nga njerëzit që t’i raportojnë të gjitha rastet e dyshimta të murtajës ose edhe të etheve dhe temperaturës pa shkaktarë të qartë.
Nga qytetarët është kërkuar të raportojnë edhe nëse hasin në marmotë të sëmurë ose të ngordhur. Marmotët janë brejtës që mund ta përhapin murtajën.
Paralajmërimi i së dielës erdhi pasi nëntorin e kaluar në këtë rajon ishin raportuar katër raste të murtajës në njerëz. Dy nga personat e infektuar kishin murtajë pneumonike, që është një lloj edhe më vdekjeprurës i sëmundjes.
Murtaja bubonike, e njohur edhe si “Vdekja e zezë” në Mesjetë, është një sëmundje shumë ngjitëse dhe shpesh fatale. Ajo përhapet kryesisht nga brejtësit.
Kina edhe më parë ka regjistruar raste të kësaj sëmundjeje të rrallë. Nga viti 2009 deri në vitin 2018, në këtë shtet janë shënuar 26 raste të personave të infektuar dhe 11 viktima.