Fjalë Kyçe

Vendet evropiane po i heqin kufizimet kundër COVID-19

Vendet evropiane po i heqin kufizimet kundër COVID-19

Janë të vetëdijshëm që pandemia nuk ka mbaruar.

Por meqë sëmundja ngjitëse ka hyrë në një fazë krejtësisht të re, Suedia të enjten iu bashkua vendeve të tjera evropiane për t’i hequr kufizimet shtetërore që u vendosën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Arsyeja e këtij vendimi nga suedezët është e ngjashme me atë në Danimarkë e cila u bë e para në Evropë që më 1 shkurt hoqi të gjitha masat mbrojtëse nga pandemia pas lirimit të ngarkesave në spitale.

Edhe Norvegjia u bë shteti i tretë skandinav i cili hoqi shumicën e kufizimeve për koronavirus, pavarësisht rritjes së shkallës së infektimit si pasojë e variantit Omicron.

Autoritetet pohuan se shoqëria duhet të mësohet të jetojë me virusin.

Maskat në ambientet e jashtme u hoqën më 2 shkurt edhe në Francë derisa i lehtësuan edhe masat tjera.

Por vendosja e maskës vazhdon të jetë e detyrueshme në Itali e cila njoftoi po ashtu të mërkurën se do të nis me lirimin e masave për të vaksinuarit.

E këtë guxim ende nuk e ka Gjermania.

Ajo ka vendosur të mbajë kufizimet shtetërore të COVID -19 deri në muajin mars.

Madje ministri gjerman i shëndetësisë ka paralajmëruar se gjërat mund të ndryshojnë nëse variante të reja të koronavirusit zhvillohen.

Ndërkaq në Austri, nga 1 shkurti, ka hyrë në fuqi ligji që e bën të detyrueshëm vaksinimin kundër koronavirusit për të gjithë personat mbi 18 vjeç transmeton klankosova.

Në këtë kohë, kufizimet më të ashpra në botë ka nisur ti lehtësoj edhe Zelanda e Re e cila vlerësohet si vendi që menaxhoi më së miri pandeminë

Shteti me 5 milion banor që ka vetëm 54 viktima nga COVID-19, prezantoi te enjten planin e rihapjes së kufijve të cilët ishin të mbyllur për gati dy vjet.

Rregullat e koronavirusit gradualisht i hoqi të gjitha edhe Mbretëria e Bashkuar.