Fjalë Kyçe

Vendimi i Rozeta Hajdarit për çmimin e naftës, naftëtarët mblidhen sot

Vendimi i Rozeta Hajdarit për çmimin e naftës, naftëtarët mblidhen sot

Pas vendimit të Ministres Rozeta Hajdari për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës, naftëtarët do të mblidhen sot.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

“Sot kemi takim në ora 11:30. Ne akoma nuk kemi marrë kurrfarë vendimi. Çdo vendim i marrun, kompanitë e mëdha i lodhë, ndërsa kompanitë e mesme dhe të vogla i shkatërron”, ka thënë Berjani për Express.

Ndryshe, Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës, “me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg”

Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.

“Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.