Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ka përkujtuar rënien e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij më 5 mars të vitit 1998.
Veseli, ka thënë se lufta dhe rënia e tyre, sakrifica e tyre e pashembullt në historinë njerëzore, e vulosën përcaktimin e popullit tonë për liri, shkruan Gazeta Alo.
Sipas tij, Adem Jashari dhe familja e tij ranë, që kombi ynë të ngritej në këmbë.
Postimi i tij i plotë:
Janë disa ngjarje që bartin peshën e ndërrimit të epokave. Ato shënojnë ndarjen e të tashmes prej të shkuarës, duke hapur shtigje të reja nëpër të cilat ecin popujt dhe shtetet. Një peshë të tillë padyshim e ka 5 marsi i vitit 1998. Atë ditë në Prekaz po ndryshonte historia e kombit tonë. Kosova po niste rrugën e pakthim drejt lirisë dhe padyshim simboli më unik i kësaj rruge ishte Adem Jashari dhe familja e tij martire. Lufta dhe rënia e tyre, sakrifica e tyre e pashembullt në historinë njerëzore, e vulosën përcaktimin e popullit tonë për liri. Adem Jashari dhe familja e tij ranë, që kombi ynë të ngritej në këmbë. Dhe ne u ngritëm. I madh e i vogël, burra e gra, nga të gjitha katër anët e kombit, nga të katër anët e diasporës. U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë. LAVDI!/Gazeta Alo/