Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 20-vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, të kryer nga forcat serbe mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare, ka thënë se këto dy vende janë simbol i një populli që kurrë nuk pranoi të nënshtrohet, duke u bërë kështu simbol i triumfit të jetës mbi vdekjen.
Kryetari i Kuvendit tha se ata që urdhëruan dhe kryen masakrën në Krushë të Madhe e Krushë të Vogël, ende janë të lirë, por tha se kjo nuk do të harrohet kurrë.
“Kanë kaluar 20 vite nga ky krim çnjerëzor. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të vendoset për këto fshatra martire të Kosovës. Serbia një ditë duhet të përgjigjet për krimet e kryera në Kosovë. Dhe ajo ditë do të vijë gjithsesi, sepse krimet nuk vjetërsohen dhe drejtësia është e domosdoshme”, theksoi Veseli.
Ai tha se Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël janë simbol i sakrificës sonë për liri, janë identiteti ynë historik.
“Ne jemi sot në Krushë jo vetëm për të nderuar martirët e saj dhe për të kërkuar drejtësinë e munguar për ta. Jemi sot në Krushë për të dhënë zotimin tonë të madh, se kurrë më në tokën e Kosovës, në atdheun tonë, nuk do të lejojmë që të cenohet jeta dhe liria e njerëzve tanë. Kosova përgjithmonë do të jetë e lirë, shtet i pavarur, sovran, e i paprekshëm”, tha kryeparlamentari Veseli./Gazeta Alo/