Fjalë Kyçe

Veseli: Miqësia me ShBA-në dhe Aleancën Veriatlantike është e përjetshme

Veseli: Miqësia me ShBA-në dhe Aleancën Veriatlantike është e përjetshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën solemne për “Epopenë e UÇK-së”, ka thënë se Adem Jashari dhe familja e tij ranë që Kosova të ngritej.

Ai tha se sot kanë bërë realitet ëndrrën të cilën e kishte Adem Jashari dhe dëshmorët e tjerë.

“Sot në këtë ditë të madhe ne përkulemi para kujtimit të gjithë brezave që sakrifikuan për Kosovën e lirë.

Ne sot përmes emrave të tyre e definojmë dashurinë për atdheun. Dimensioni tjetër është zotimi ynë për të vazhduar misionin e gjeneratës sonë, fuqizimin e shtetit në çdo fushë. Këtë vit ne kremtojmë 20 vjetorin e çlirimit tonë. Së bashku si komb arritëm lirinë, dhe sa gjëra të mëdha kemi arritur në këto dy dekada. E rindërtuam jetën tonë, institucionet, shpallëm pavarësinë, formuam shtetin, si dhe ushtrinë e Kosovës. Këto të tjerëve u janë dashur shumë më shumë se dy dekadë”, ka thënë ai.

Veseli tha se për tërë këto procese në krahë Kosova kishte edhe miqtë e saj.

“Janë edhe miqtë tanë të mëdhenj që qëndruan pranë nesh në këto vite. Janë shtetet demokratike në krye me SHBA-në, që udhëtuan me neve në çdo proces. Lirinë e kemi arritur me çdo çmim. E kemi arritur me partnerët tanë, NATO-n dhe SHBA-në. Kohën e fundit janë shtruar dilema për të ardhmen e këtij partneriteti. Sot është dita t’i heqim këto dilema, dhe t’i bëjmë të pakuptimta këto pikëpyetje. Miqësia jonë me SHBA-në dhe Aleancën Veriatlantike, janë vlera të shenjta të kombit tonë, janë të paprekshme dhe pacenueshme, janë përgjithmonë, si vetë liria jonë për të cilët ranë Jasharët e Prekazit dhe dëshmorë të tjerë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Kosova asnjëherë nuk do të kthehet pas, por siç tha ai, do të vazhdojë rrugëtimin dhe do të fuqizohet.

“Sot në ditën e Adem Jasharit, dy gjëra ua bëjmë të qartë qytetarëve dhe vetes sonë. Interesi i shtetit është mbi çdo interes tjetër, Kosova nuk do të kthehet kurrë më pas, vetëm do të ecë përpara dhe do të fuqizohet. Lavdi gjithë heronjve të rënë”, ka thënë Veseli.