Kur në Kuvend po diskutohet rreth taksës 100%, deputeti Kadri Veseli, ka pasur akuza shumë të rënda për kryeministrin Albin Kurti.
Veseli, kryeministrin Kurti e ka cilësuar të rrezikshëm për Kosovën dhe sovranitetin e vendit, njofton Klan Kosova.
“Do ta konsideroja më shumë se serioze, diçka që ky njeri paraqet rrezik për shtetin e pavarur sovran e Kosovës, për të ardhmen e vendit tonë, pasha besën mu ka dokë që e kom ni një autonomist, si me pas luksin si me fol për federatën Jugosllave pas 17 shkurtit 2008. Kanë ndërru senet, jo veç ty po askujt nuk ia mohoj patriotizmit, me Serbinë duhet me u nda sa më shpejtë, nuk mundesh me fol si nëpunës doganor, duhet me ndal taksiratin o kryeministër për hirë të gjeneratave që vijnë, jo rastësisht kemi pas luftëra me shekuj, është fat që SHBA po donë me kry sa më shpejtë, këtu duhet të orientohemi, nuk je nëpunës i doganave, i ke rrotullua kamionët, kjo çka po bën tash so në rregull”, ka thënë Kurti.
Veseli ka kujtuar edhe idenë e tij që e kishte propozuar për pezullimin e taksës.
“Në janar të vitit 2019, me një draft-dokument, unë kam propozuar pezullimin e taksës për 120 ditë, për t’i dhënë mundësi arritjes së marrëveshjes përfundimtare gjatë kësaj periudhe kohore. Nëse nuk do të arrihej marrëveshja, do të rikthehej taksa dhe do të vendosej reciprocitet i plotë. Arsyeja e vendosjes së taksës ishte legjitime, që të mbrohemi nga agresiviteti i Serbisë kundër Kosovës. Por, edhe atëherë, sikurse edhe sot, taksa kërkohej të hiqej me insistim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kishte të bënte drejtpërdrejt me mundësinë e arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Ishte dhe është shqetësim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se problemet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë po i japin mundësi Rusisë për influencë në Evropë. SHBA-të kanë investuar në këtë rajon dhe janë autoriteti më i lartë dhe më legjitim. Kjo ishte arsyeja pse atëherë propozova suspendimin e taksës”.
Veseli shtoi se përveç izolimit – edhe liberalizimit, edhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës prekën pikën më të ulët dhe se çdo veprim duhet të ndërmerret në bashkëpunim me SHBA-të.
“Njëra palë kërkon heqje të menjëhershme të taksës, ndërsa pala tjetër heqje të pjesshme. Këto sjellje, në fakt, kanë nuanca hipokrizie. E vërteta është se ata ose duhet t’i dëgjojnë SHBA-të, ose të përgatiten për humbjen e pushtetit. Rrugë të mesme nuk ka”.