Fjalë Kyçe

Vetëm 97 punëtorë të RTP-së do të përfitojnë nga 20 përqindëshi i ndërmarrjes

Vetëm 97 punëtorë të RTP-së do të përfitojnë nga 20 përqindëshi i ndërmarrjes

Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka publikuar listën fillestare të punonjësve që kanë plotësuar kriteret për të përfituar nga 20-përqindëshi i likuidimit të Radiotelevizionit të Prishtinës. Megjithatë, në atë listë janë përfshirë vetëm 97 ish-punëtorë të RTP-së, nga 1.300 punëtorë sa konsiderohet se i kishte kjo ndërmarrje. Ndërkohë, punëtorët kanë paralajmëruar se do të ankohen për mospërfshirje në këtë listë.

Vetëm 97 nga rreth 1.300 ish-punonjës të Radiotelevizionit të Prishtinës (RTP) janë në listën e punëtorëve që mund të përfitojnë nga 20-përqindëshi i likuidimit të RTP-së.

Edhe pse për të përfituar një pjesë të 20-përqindëshit kishin aplikuar 755 ish-punëtorë, 658 prej tyre, sipas AKP-së, nuk i kanë plotësuar kriteret.

Lista fillestare me 97 emra është publikuar këto ditë në faqen e AKP-së, ndaj së cilës punëtorët, që nuk janë përfshirë, kanë të drejtë ankese.

Avokati Besim Osmani, në emër të rreth 270 punëtorëve, ka thënë se do të parashtrojë ankesë, që në listën përfundimtare të përfshihen edhe këta ish-punëtorë.

“Zyra jonë ka ca autorizime nga një numër i caktuar i punëtorëve, për të bërë ankesë në emër të tyre. Natyrisht, lista e publikuar nga AKP-ja është një listë fillestare dhe ne do të bëjmë ankesa brenda afatit kohor për këta punëtorë që kemi marrë autorizimet”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, lista e punëtorëve të RTP-së do të duhej që të përgatitej me kohë nga AKP-ja dhe se për këtë, punëtorët do të ankohen dhe Dhoma e Posaçme të kërkojë që ata të përfshihen në atë listë.

“AKP-ja me kohë është e obliguar që të përgatisë listat e 20-përqindëshit. Nëse nuk është bërë, e drejta e këtyre punëtorëve është konsumuar dhe për mendimin tonë, këta punëtorë do të duhej të përfshiheshin në këtë listë”, ka thënë Osmani.

Sindikalisti i RTP-së, Qemaj Sokoli, ka thënë shkurt që i kanë informuar që të ankohen në AKP deri më 15 prill dhe të presin që të dalin listat e tjera.

Ndërkohë, Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar AKP-në për stërzgjatje të procesit të likuidimit të RTP-së.

“Edhe shumë ndërmarrje të tjera kanë pasur defekte dhe ka shkuar në vonesa të tejskajshme deri në një periudhë me vite, nga procesi i fillimit deri te procesi i përfundimit kalojnë 10 vjet dhe sot kemi ndërmarrje që janë në proces të privatizimit nga periudha kur kanë filluar deri sot kur po flasim”, ka theksuar Spahija.

Sipas tij, ky është një dështim i AKP-së dhe AKM-së që në “vazhdimësi po bëjnë këso procese të tejzgjatura saqë edhe i humb kuptimi”.

Nga AKP-ja kanë thënë se punëtorët që konsiderojnë se duhet të jenë të përfshirë në listë duhet të dorëzojnë ankesë deri më 15 prill.

“Nga numri i tërësishëm i aplikantëve, sipas informatave të pranuara nga BSPK, kriteret e kualifikueshmërisë për t’u përfshirë ne listën fillestare i kanë plotësuar 97 punëtorë, andaj emrat e tyre janë te përfshirë në listën fillestare, listë kjo e cila ditë më parë është publikuar në web faqën zyrtare të AKP-së”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Sipas Rregullores së UNMIK-ut 2003/13, punëtori ka të drejtë të marrë një pjesë të 20 % të të hyrave nga shitja, nëse ka qenë i evidentuar si punëtor i NSH-së në kohën e privatizimit ose likuidimit dhe që ka qenë në listën e pagave të NSH-së të paktën për tre vjet.

Likuidimi i RTP-së ka filluar më 18 janar të 2021-s në bazë të një vendimi të Bordit të Drejtorëve të AKP-së.

Radio Prishtina në vitin 1973 është transferuar në Radiotelevizionin e Prishtinës. Në vitin 1992, RTP-ja ishte pjesë përbërëse e Radiotelevizionit Publik të Serbisë, kurse në vitin 2001 është shndërruar në ndërmarrje shoqërore Radiotelevizioni i Prishtinës.

Por, pas luftës, shumica e punëtorëve kanë mbetur pa punë, pasi që me themelimin e Radiotelevizionit të Kosovës RTK-së, nuk iu është mundësuar që të kthehen në punë dhe nuk e ka deklaruar si pasardhëse të ish-RTP-së.

Pavarësisht kësaj, sipas ish-punëtorëve të RTP-së, të gjitha pronat dhe arkivat e ish-RTP-së janë në shfrytëzim të vazhdueshëm nga RTK-ja dhe televizionet e tjera, pa asnjë kompensim për punëtorët e RTP-së.

Në vitin 2000, sindikata kishte arritur që të regjistronte RTP-në si entitet juridik dhe më pas, më 2001 kishte paraqitur padi në Gjykatë për kthimin e pronave të saj.

Për humbjen apo tjetërsimin e disa pronave milionëshe në qendër të Prishtinës, të cilat me vendim shtetëror në vitin 1980 i ishin ndarë RTP-së për ndërtimin e hapësirave të reja për TV dhe radio, është duke u zhvilluar proces gjyqësor. Por lënda nuk ka marrë epilog përfundimtar.