Tualeti prej ari 18 karat është zhdukur në mënyrë të mistershme nga Pallati Blenheim.
Vlera e tij (nëse do të dilte në treg) kap vlerën e 1 milionë funte. Mediat në gjithë botën, përfshirë BBC raportojnë për këtë ngjarje të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Pallatin Blenheim, në Oksfordshire.
Një bandë shpërtheu dyert dhe vodhi veprën e artit, tha policia lokale. Për ngjarjen, është arrestuar një 66-vjeçar që po merret në pyetje.
Pallati hijerëndë i Shek. XVIII aktualisht është mbyllur pasi aty janë ende hetuesit e prokurorët Inspektori i policisë, Jess Milne tha se “vepra e artit, që është vjedhur, është një tualet me vlerë të lartë monetare, i përbërë nga ari dhe ishte pjesë e ekspozitës në pallat. Ne dyshojmë se hajdutët kanë vepruar të organizuar (bandë) dhe kanë përdorur dy automjete për tu larguar”, njofton mapo.
Shefi ekzekutiv i Pallatit, Dominic Hare tha se “jemi të trishtuar nga kjo ngjarje e pazakontë dhe shpresojmë që vepra e mrekullueshme e mikut tonë, artistit, Maurizio Cattelan, të gjendet sa më parë”.