Jessica Hayes ia bleu vetes një fustan nusërie, një duvak dhe një unazë. Por, kur erdhi para altarit dhe para priftit, në një ceremoni solemne fetare, pranë saj nuk po qëndronte asnjë dhëndër. Ajo po martohej me Jezus Krishtin.
Gjatë ceremonisë, vajza duhet të vishet me fustan nusërie dhe premton se nuk do të ketë asnjëherë marrëdhënie romantike dhe seksuale. Në këtë ceremoni vendoset edhe unaza, që është shenjë e besnikërisë ndaj Krishtit. Jessica është njëra nga 254 “nuset e Krishtit” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas një ankete të bërë në vitin 2015, ekzistojnë të paktën 4000 vajza të tilla në tërë botën. Ndryshe nga murgeshat, virgjëreshat e shenjtëruara nuk jetojnë në komunitete të mbyllura dhe nuk veshin uniforma të veçanta. Ato bëjnë një jetë normale, punojnë dhe e përkrahin njëra-tjetrën.
Një titull i tillë nuk ofrohet edhe për meshkujt nga kisha katolike. Protagonistja e kësaj ngjarjeje thotë se nuk e ka pasur në plan që të martohet në këtë mënyrë, por atë e ka shtyer një këshilltare shpirtërore, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.