Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se duhet të ketë masa të menjëhershme për këdo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor për vdekjen e një 4-vjeçareje nga Gjakova.
Vajza 4-vjeçare, siç ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh, po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që nga 17 shkurti. Më 19 shkurt ajo vdiq, ndërsa trupi i saj është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Familjarët janë ankuar për neglizhencë nga Spitali i Gjakovës, ku 4-vjeçarja u trajtua fillimisht. Spitali i Gjakovës ka thënë se rasti është trajtuar në mënyrë profesionale.
Vitia u ka bërë thirrje organeve të rendit ta hetojnë sa më shpejtë rastin.
“Humbja e jetës së vajzës 4 vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve. Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike. Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë. I bëj thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve!”, ka shkruar Vitia në Facebook.
Edhe Avokati i Popullit e shoqëria civile ka kërkuar hetime dhe veprime të menjëhershme për rastin e vdekjes së 4-vjeçares.