Kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla javën që shkoi ka qëndruar për vizitë në Izrael, gjegjësisht në Jerusalem.
Krahas takimeve zyrtare që ka pasë në shtetin hebre, përfshirë edhe takimin me homologun e saj, ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Yair Lapid, Donika Gërvalla u bë zyrtarja e parë e shtetit të Kosovës që vizitoi edhe qendrën përkujtimore “Yad Vashem” në Jerusalem, “ku u njoh nga afër me historinë tronditëse të Holokaustit”.
Por, kishte edhe një vend tjetër të rëndësishëm për Izraelin dhe popullin e saj që e nderoi Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Fjala është për “Murin e Lotëve” [ose Murin e Vajtimit] në Jerusalem, vend i rëndësishëm pelegrinazhi në Izrael.
Megjithatë, vizita e Gërvallës në vendin e shenjtë hebre, për dallim nga të tjerat vizita gjatë qëndrimit në Izrael, nuk u njoftua në publik e as në rrjetet zyrtare të MPJD-së e Ministres së Jashtme.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar një fotografi ku shihet kryediplomatja Gërvalla duke kryer nderimet tek “Muri i Vajtimit”, i quajtur ndryshe edhe Koteli, Muri Perëndimor ose Muri i Solomonit – pika kryesore e Izraelit.
‘Pelegrinazh’ aty kreu edhe një nga përcjellësit nga stafi i Ministres së Jashtme dhe Diasporës.
“Muri i Lotëve” konsiderohet si pika kryesore e Izraelit. Përkundër faktit se vendi është i shenjtë për hebrenjtë, njerëzit e çdo feje lejohen ta vizitojnë dhe kryejnë pelegrinazhe. Turistët mund të shohin vendin kryesor të lutjes së hebrenjve, të njihen me traditat e tyre dhe të ecin nëpër tunelin antik.
Pos Gërvallës, këtë vend të shenjtë e vizitojnë dita-ditës shumë personalitete e liderë botërorë, e që për dallim nga kryediplomatja kosovare qëndrimin para “Murit të Vajtimit” e ndajnë me ndjekësit e tyre.