Fjalë Kyçe

Vjen ftesa e dytë për Remzi Shalën, Specialja nuk u informua për vendndodhjen e tij

Vjen ftesa e dytë për Remzi Shalën, Specialja nuk u informua për vendndodhjen e tij

I njohur si komandant ‘Molla e Kuqe’, Remzi Shala i thirrur për intervistim nga Specialja po vazhdon të qëndrojë në arrati.

Ndonëse nuk ka informacion të saktë për vendndodhjen e tij, sipas disa të afërmeve ai është larguar nga Kosova para rreth katër muajve.

Për të njëjtin, para rreth dy javësh ka ardhur një ftesë e dytë nga Prokuroria e Specializuar e Hagës.

Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga zyra për informim e Dhomave të Specializuara të Prokurorisë në Hagë.

Kjo e fundit duke specifikuar se ka autoritetin që të kërkojë praninë e secilit dëshmitar, të dyshuar apo viktimë të mundshme të rasteve që pritet të hetohen, ka refuzuar të japë një përgjigje konkrete për Remzi Shalën.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka nuk jep detaje për statusin e hetimeve për arsye etike, profesionale dhe ligjor. Zyra e Prokurorit ka autoritetin që të kërkojë prezencën dhe intervistimin e të dyshuarve, viktimave apo dëshmitarëve, të mbledhë dëshmi dhe informacione dhe të marrë vendim për inicimin, vazhdimin apo ndërprerjen e procedurës penale”, thuhet në përgjigje.

“Duke u bazuar në rregullin 30.2.b, të Rregullave të Procedurës dhe Evidencës, zyra e Prokurorit të Specializuar duhe të sigurojë mbrojtjen e privatësisë së secilit person. Pra ne nuk mund të japim informacione për individë”, thuhet konkretisht në përgjigjen e Speciales.

E në lidhje me të njëjtën çështje, për lajmi.net ka folur avokati Tomë Gashi.

Ai ka thënë se dërgimi i ftesës për herë të dytë është i mundshëm dhe se është në përputhje me praktikat ligjore.

Kjo për shkak se siç thotë ai, Prokuroria e Specializuar e Hagës mund të mos ketë informacione zyrtare për vend-ndodhjen e Remzi Shalës, dhe si e tillë dërgon ftesë të rregullt për të, për të dytën herë.“…sigurisht që është e mundshme nëse nuk kanë njohuri konkrete nga organet zyrtare për vendndodhjen e tij. Nëse ata nuk e vërtetojnë ligjërisht se ai është në ikje, atëherë tentimi i dorëzimit të ftesës së rregullt është në të mirë të tij dhe të gjithë atë që ftohen nga Specialja që mos të bëhet precedent që të përdoren masa shtrënguese ndaj atij dhe të tjerëve që i bije që mund të përdoret paraburgimi dhe masa tjera të parapara nga dispozitat ligjore të Kosovës por edhe ato të Prokurorisë së Specializuar”, thotë avokati Gashi.

Theksojmë se komandant ‘Molla e Kuqe’ tash e katër muaj raportohet të ketë ikur nga Kosova.

Avokati i tij, Natal Bullakaj tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me personin në fjalë, dhe se ai nuk ka komunikuar as me familjarët e tij.

Ndaj Remzi Shalës është lëshuar fletëarrest ndërkombëtar për një rast gjyqësor që është ende në procedurë në Gjykatën e Prizrenit.