Fjalë Kyçe

Vonesa në Termocentralin ‘Kosova e Re’ – ende nuk është përzgjedhur ndërtuesi i tij

Vonesa në Termocentralin ‘Kosova e Re’ – ende nuk është përzgjedhur ndërtuesi i tij

Ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’ është thënë se do të nis në pjesën e parë të këtij viti dhe do të përfundoj në vitin 2023. Mirëpo, punimet për këtë projekt ende nuk kanë filluar.

Termocentrali ‘Kosova e Re’ konsiderohet investimi më i madh i huaj rreth 1.3 miliard euro dhe synon që ta stabilizojë situatën me energji elektrike në Kosovë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në deklarata për media ka thënë se kompania fituese ‘Contour Global’ është duke i siguruar mjetet e nevojshme për realizimin e projektit edhe pse Banka Botërore është tërhequr nga financimi. Sipas Llukës, projekti po mbështetet nga OPIC-u amerikan dhe banka shtetërore japoneze.

Ndërkohë që ky projekt ende nuk ka nisur, në MZHE thonë se nuk është bërë përzgjedhja e ndërtuesit.
“Ende nuk është bërë përzgjedhja e ndërtuesit të Termocentralit ‘Kosova e Re’, jemi në fazën përmbyllëse të këtij procesi. Puna është duke vazhduar dhe së shpejti do të bëhet përzgjedhja e ndërtuesit”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së për lajmi.net.

Sipas tyre, ky projekt kërkon vlerësim më të kujdesshëm.

“Keni parasysh që ky është një proces tejet i ndjeshëm dhe kërkon vlerësim të kujdesshëm. Ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’ nuk ka filluar ende dhe kjo do të ndodhë në momentin kur kemi përzgjedh ndërtuesin”, ka theksuar ministria.

Vlen të përmendet se me ndërtimin e këtij Termocentrali do të shtrenjtohet energjia elektrike. Qeveria e Kosovës dhe kompania fituese ‘Contour Global’ janë pajtuar që çmimi më i lartë i synuar për megavat të jetë 80 euro. Ndërsa nëse çmimi kalohet mbi këtë vlerë, Qeveria e Kosovës mund të shkëputë kontratën pa ndonjë dëm financiar.

Sipas MZHE-së, Termocentrali “Kosova e Re” do të zvogëlojë emetimet e pluhurit për rreth 93 për qind, ato të dyoksidit të karbonit për rreth 38 për qind, të dyoksidit të sulfurit për rreth 85 për qind dhe të NOx për rreth 93 për qind.