Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se është shumë i shqetësuar me faktin se Listës Serbe nuk i është lejuar të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat në veri të Kosovës.
“Kemi nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe në pikën shtatë ose tetë na imponon pjesëmarrjen në zgjedhje sipas ligjeve të Kosovës, ndërsa tani u pengon që Lista Serbe po fiton”, ka thënë Vuçiqi para gazetarëve në Pekin, transmeton FoNet shkrimin e RTS-së.
Shtoi se është investuar para e madhe në mënyrë që të dëmtohet imazhi i Listës Serbe me qëllimin që ajo të prishet e që serbët të ndahen nga Beogradi, transmeton Koha.net.
Presidenti serb tha po ashtu se të huajt kanë krijuar media në veri të Kosovës në mënyrë që të prishin imazhin e Listës Serbe dhe që të zhvillojnë fushata për të kriminalizuar serbët.
“Por nuk ia dolën, sepse serbët dinë gjithçka, ata do të jenë me popullin dhe shtetin e tyre. E panë se as një milion dollarë nuk ndihmojnë në ndryshimin e vullnetit të popullit serb”, tha Vuçiqi.
Ai tha se së pari u habitën me thirrjen e zgjedhjeve, dhe kur Lista Serbe bëri publike pjesëmarrjen, thanë se “nuk keni të drejtë të merrni pjesë”, gjë të cilën e ka cilësuar si suprimim brutal i demokracisë.
Vuçiqi porositi se, megjithatë, do të presë se çfarë do të thuhet në Berlin për këtë.
“Nuk do të them se në çka më kujton kur mbroni dikë që të kandidojë, për këtë do t’i pyes Merkelin e Macronin. Do t’i pyes edhe të gjithë të tjerët, do t’ua sqaroj Xi-së dhe Putinit, madje jam i sigurt se edhe ata pajtohen me ne”, tha Vuçiqi.