Fjalë Kyçe

Vuçiqi pret presion të madh mbi Serbinë për sanksione ndaj Rusisë

Vuçiqi pret presion të madh mbi Serbinë për sanksione ndaj Rusisë

Pas vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për njohjen e dy republikave të vetëshpallura në Ukrainën lindore, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia do të përballet me presion si kurrë më parë.

Vuçiqi në një intervistë për TV Pink nga Franca, ku po qëndron për vizitë, tha se njohja e pavarësisë së Luganskut dhe Donetskut nga Rusia do të “shkatërrojë arkitekturën e plotë të sigurisë në botë”.

Gjatë pushtetit të tij, marrëdhënia e tij me Putinin dhe e Serbisë me Rusinë është zhvilluar shumë.

Vuçiqi në shumë raste ka thënë se Rusia është shtet mik e vëllazëror për Serbinë dhe se nuk do t’i vë kurrë sanksione, siç kërkon BE-ja tash e sa kohë.

E tash, kur Rusia ka futur edhe trupat e saj në këto dy rajone të Ukrainës, presioni mbi Serbinë për sanksione do të jetë edhe më i madh, sipas tij.

“Mund ta imagjinoni presionin mbi Serbinë tani për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Unë kam pasur tashmë telefonata dhe linja telefonike”, tha Vuçiq.