Shpërthimi i vullkanit nënujor Hunga-Tonga-Hunga- Ha’apai ka shkaktuar dallgë të mëdha në Paqësorin Jugor, të cilat do të kenë pasoja edhe në kontinente të tjera.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Tongës, gazi, tymi dhe hiri i nxjerrë nga vullkani arritën 20 kilometra lartësi. Vullkani nënujor po analizohet nga shërbimet gjeologjike në mbarë botën dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është lëshuar një alarm për cunami që mund të prekë bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Ishujt Havai, Kaliforni, madje edhe Alaskën.
Besohet se cunami do të mbërrijë pikërisht në bregun e Kalifornisë në mëngjes, rreth orës 7:45. “Nëse jeni në këtë zonë bregdetare, qëndroni larg plazhit, porteve dhe marinave. Mos shkoni në bregdet për të parë cunamin. Jini të vëmendshëm ndaj udhëzimeve të zyrtarëve lokalë të urgjencës,” paralajmëroi agjencia.
Ushtria e Zelandës së Re tha se po monitoron situatën dhe mbetet në gatishmëri për të ndihmuar nëse kërkohet.
Shpërthimi i vullkanit u dëgjua mijëra kilometra larg dhe shkaktoi paralajmërime në Zelandën e Re, Ishujt Fixhi, Ishujt Samoa Amerikane dhe Australi transmeton a2cnn.
Në Amerikën e Jugut, Zyra Kombëtare e Emergjencave të Kilit paralajmëroi këtë të shtunë për mundësinë e një “cunami të vogël, pas shpërthimit të një vullkani në Tonga”. Popullatës iu kërkua të largohet nga zona e plazhit për shkak të mundësisë së cunamit.