Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani ka reaguar ndaj lajmit të Kadri Veselit se ka vendosur të ulë pagën e tij nga koeficienti 11 në nëntë.
Përmes një postimi në Facebook, Ramadani e ka quajtur hipokrit propozimin e Veselit për ulje të pagës së tij për 478 euro.
Ramadani gjithashtu e ka akuzuar Veselin për spiunim të planit për zvogëlim të pagës, pasi sipas deputetit të VV-së, veçse ishte marrë vendimi për zvogëlim të koeficientit.
“Kadri Veseli spiunoi planin tonë për zvogëlim të pagës. Aktualisht ndodhem me një punëtori për ligjin për pagat. Këtu kemi diskutuar gjatë që të ulet koeficienti nga 11 në 9 që do t’ia ulte pagën Kryetarit të Parlamentit Kadri Veseli për 478 euro. Propozimi i tij është hipokrit dhe reaksion ndaj një vendimi që duhej të merrej”, ka shkruar Ramadani.
Deputeti i VV-së ka reaguar edhe ndaj ish-koleges së tij të partisë, Shqipe Pantina, e cilia ia dha meritat partisë së saj të re, PSD-së, për vendimin për uljen e pagave të zyrtarëve politikë.
“Kërkesa e Partisë Socialdemokrate për uljen e koeficientit, përkatësisht uljen e pagave për pozitat e larta drejtuese nga 12 në 10 është miratuar edhe nga anëtarët e tjerë të Komisionit për administratën publike. Ulja e pagave për zyrtarët e lartë politikë dhe rritja e pagave për punonjësit e tjerë të sektorit publik, si për atë të shëndetësisë, kontribuon në zvogëlimin e pabarazisë shoqërore”, ka shkruar Pantina.
Ramadani ka thënë se Pantina nuk ishte prezente në mbledhjen e Komisionit kur u mor vendimi për uljen e koeficientit nga 1 deri në 10.
“Kur ne si komision në punëtori në javën e kaluar jemi dakorduar për uljen e koeficientit 1 deri në 10, deputetja Shqipe Pantina nuk ka qenë prezent në punëtori. Shpallja si meritë e asaj apo çka përfaqëson ajo tregon vazhdimësinë e ngarendjes pas arritjeve të pamerituara. Bollni me përvetësimin e asaj çka nuk ju takon”,ka shkruar ai.