Fjalë Kyçe

VV: Për sulmin në Banjskë u shpalosën qindra fakte, ende s’ka aktakuzë

VV: Për sulmin në Banjskë u shpalosën qindra fakte, ende s’ka aktakuzë

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se qindra prova janë zbuluar për sulmin serb të 24 shtatorit në Banjskë, por ende Prokuroria Speciale s’ka ngritur aktakuzë.

Në një reagim në Facebook, partia në pushtet ka thënë se deri tash “janë zbuluar pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në atë sulm”.

“Më 24 shkurt u bënë 5 muaj nga sulmi terrorist i organizuar nga Serbia me qëllim aneksimin e veriut. Deri tash janë shpalosur qindra prova dhe zbuluar pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në atë sulm. Por, edhe pas gjithë këtyre muajve dhe provave ende nuk ka asnjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për këtë rast”, ka thënë VV-ja të dielën.

Ditë më parë, në një intervistë për emisionin “Konfront” në KTV, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se hetimet në Banjskë kanë përfunduar, por një prokuror po e mban rastin prapa. Ai ka thënë se Prokuroria s’e ka kërkuar ekstradimin e Milan Radoiçiqit, prijësit të sulmit së 24 shtatorit.

“Si mund të kërkoj unë angazhim më të madh nga Brukslei kur ky angazhim mungon në Prishtinë. Prokuroria në Kosovës hesht dhe nuk thotë ‘na e ekstradoni Radoiçiqin sepse koha po shkon’ dhe sa më shumë që rri ai në Kopaonik, ka rrezik për sulm. Një prokuror i cili është dashur të na paraprijë neve me argumente, po na mban prapa, s’po hap rrugë për të thënë se hetimet kanë përfunduar”, ka thënë Bislimi në intervistën më 14 shkurt.