Për një javë në Kosovë janë shënuar dy vrasje në kazino. Njëra ka ndodhur në Suharekë, ndërsa tjetra në Lipjan.
E, këto ngjarje tragjike kanë mobilizuar jo vetëm institucionet e vendit por edhe qytetarët, të cilët po kërkojnë mbylljen e tyre.
Pikërisht, për këtë çështje sot Kuvendi i Kosovës ka mbajtur edhe një seancë të jashtëzakonshme ku edhe ka votuar një rezolutë për pezullimin e veprimtarisë së lojërave të fatit deri në sjelljen e një ligji të ri.
Mbylljen e kazinove dhe lojërave të fatit e ka kërkuar edhe profesori i studimeve islame, Xhabir Hamiti.
Hamiti, për Gazetën Alo ka thënë se kazinotë duhet të largohen sa më parë që është e mundur.
“Përgjegjës të rendit dhe të sigurisë. Largoni kazinotë nga vendi sa më parë që është e mundur. Kurrë nuk ka pasur, e as kurrë nuk do të ketë hajr prej tyre. Sa e sa vetëvrasje janë shënuar deri më sot në mesin tonë si shkak i këtyre kazinove”, ka thënë Hamiti.
Sipas tij, fitimi përmes bixhozit është krim.
“Fitimi i parasë përmes bixhozit është krim. Me para të pista, të fituara dhe të gllabëruara padrejtësisht, shoqëria asnjëherë nuk do të ketë prosperitet’, ka thënë ai.
Pas këtyre ngjarjeve tragjike mbyllje të kazinove kanë kërkuar edhe kryetarët e komunave të vendit.
Komuna e Suharekës ka filluar me peticion për mbledhjen e nënshkrimeve për t’i mbyllur kazinotë dhe lojërat e fatit, ku përkrahje ka marrë edhe nga komuna e Lipjanit, Gjakovës e Suharekës./Gazeta Alo/