Me 6908 vota, ajo ka fituar më së shumti nga të gjithë kandidatët e qytetit të Lucernit.
“Jam shumë e gëzuar: me 6908 vota të fituara, kam arritur rezultatin më të lartë në qytetin e Lucernit dhe jam rizgjedhur (në Parlamentin e Kantonit). Kemi 3 vende më shumë (si parti SP) dhe të katër të zgjedhurit rishtas, janë femra”. Këtë postim e ka bërë në faqen e saj në Facebook Ylfete Fanaj, e cila fiton kështu në mënyrë bindëse mandatin e dytë në Parlamentin e Kantonit të Lucernit.
Më shumë se ajo kanë fituar katër kandidatë nga FDP, të gjithë nga zonat tjera të kantonit, jashtë qytetit të Lucernit.
Edhe partia e saj, SP ka shënuar një rezultat shumë të mirë, duke fituar tri vende më shumë në parlament. Nga ana tjetër, partitë e djathta, SVP, CVP dhe FDP të cilat janë zakonisht favorite në këtë kanton, kanë shënuar rënie të theksuar, me 7 gjegjësisht 4 dhe 3 vende më pak të fituara.
Fitoren më të madhe e ka realizuar Partia e Gjelbër (Grüne Partei) e cila ka dyfishuar numrin e vendeve në parlament: nga 7 sa i ka pasur deri tash, në 14.
Të kujtojmë: Ylfete Fanaj është prej katër vitesh, deputete në Parlamentin Kantonal ndërsa pak më vonë ajo është zgjedhur edhe shefe e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate në këtë parlament, shkruan albinfo.ch
Ylfete Fanaj ka qenë femra e parë shqiptare që është zgjedhur në nivel kantonal dhe po ashtu shqiptarja e parë e Zvicrës në përgjithësi, e zgjedhur shefe e një grupi parlamentar në çfarëdo niveli.