Studiuesit në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar kanë identifikuar qindra mutacione të virusit që shkakton sëmundjen COVID-19.
Mirëpo, ende askush nuk e ka vërtetuar se çfarë do të thotë kjo për përhapjen e virusit në popullatë dhe sa efektive mund të jetë.
Shtrohet pyetja se cila nga këto mutacione ndihmojnë për të ndryshuar ashpërsinë ose infektivitetin e sëmundjes.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, hulumtimet paraprake nga SHBA kanë sugjeruar se një mutacion i veçantë i virusit, D614G – po bëhet mbizotërues dhe mund ta bëjë sëmundjen më infektuese, ndërkaq thuhet se ende nuk është rishikuar nga shkencëtarët e tjerë.
Studiuesit nga Laboratori Kombëtar Los Alamos në New Mexico, kanë ndjekur ndryshimet e virusit që i jep formën e tij dalluese, duke përdorur një bazë të të dhënash të quajtur Inciativa Globale për Ndarjen e të Gjitha të Dhënave të Gripit (GISAID).
Ata vunë re diçka për këtë mutacion që e bën të përhapet më shpejt, por pasojat e kësaj nuk janë ende të qarta.
Ekipi i hulumtimit analizoi të dhënat në Mbretërinë e Bashkuar nga pacientët me coronavirus në Sheffield. Ata gjetën njerëz me atë mutacion të veçantë dhe dukej se kishin sasi më të mëdha të virusit në mostrat e tyre, mirëpo nuk gjetën prova që të njëjtit u sëmurën më keq ose ishin hospitalizuar më gjatë nga gjendja e tyre.