Misteri për vërtetësinë e një pikture të njohur është zgjidhur pas 25 vjetësh.
Një pikturë që i është dhënë nga një koleksionist privat Muzeut të Artit Wadsworth Atheneum në Hartford të shtetit Connecticut në vitin 1957, është me të vërtetë vepër e Vincent Van Gogh-ut. Një teknologji e re për identifikimin e pikturave zbuloi origjinalitetin e pikturës pas shumë vitesh me dyshime dhe debate.
Kjo është piktura “Vazo me lulëkuqe” e Van Gogut. Ajo u dhurua nga një koleksionist privat në Muzeun e Artit Wadsworth Atheneum të Hartfordit, në Connecticut në vitin 1957.
Por, muzeu e mbante atë të fshehur për më shumë se dy dekada, pasi qenë ngritur pyetje rreth origjinalitetit të saj.
“Pra, për rreth 25 vjet piktura mbahej në magazinë, ose … më pas ajo ndodhej e varur në murin e zyrës së llogarisë në muze, si dekoracion”, thotë Thomas Loughman, drejtor i Muzeut të Artit “Wadsworth Atheneum”.
Në vitin 1995 stafi filloi kërkimet nëse piktura ishte autentike.
Ata u përpoqën të përdorin një pajisje me rreze X në një spital, por imazhet që morën ende nuk ishin bindëse për ta shpallur pikturën një Van Gogh të vërtetë.
Pastaj muzeu bleu pajisje të re të avancuar. Më në fund ndodhi zbulimi. Eksperti Allen Kosanovich studioi rezultatet… Poshtë shtresës së parë të pikturës, ai dalloi një pikturë tjetër që ngjan me autoportretin e Van Gogh-ut.
“Me ndihmën e rrezeve X në të djathtë shohim pikturën aktuale dhe në të majtë piktura duket me kokë poshtë, ku dallohen linja të theksuara të veshit dhe hundës…”, thotë Kosanovich.
Por, raporti përfundimtar që konfirmon origjinalitetin e pikturave pritet nga Muzeu i Van Gogh-ut në Amsterdam.
“Raporti është duke u shkruar ndërsa ne flasim – është një pikturë autentike! Mendova, çfarë mundësie e mrekullueshme për ta ndarë këtë zbulim me botën në mënyrë të organizuar; kjo mund të hapë edhe diskutime për raste të tjera – si këtu në Connecticut dhe në të gjithë botën!”, thotë Loughman.
Kështu, pas një udhëtimi të gjatë nëpër magazina dhe analizave me rreze X – piktura e Van Gogh-ut “Vazo me lulëkuqe” është shfaqur përsëri në muret e ekspozitës për t’u admiruar nga e gjithë bota.