“Donald Trump rrezikon të jetë një president humbës nëse fiton zgjedhjet e nëntorit dhe imponon një marrëveshje të keqe paqeje në Ukrainë”, ka thënë Volodymyr Zelensky, duke theksuar se kjo do të nënkuptonte fundin e SHBA-së si një “lojtar” global.
Zelensky tha se ai nuk ka “ende asnjë strategji” se çfarë të bëjë nëse Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo pasi siç raportohet, nëse Trump e mposht Bidenin, ai pritet të ndërpresë mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
E Zelensky e pranoi se një Trump i rizgjedhur, mund t’i imponojë Ukrainës një humbje dërrmuese ushtarake, duke ndërprerë mbështetjen ushtarake dhe financiare.
“Ukraina pa armë, nuk do të jetë në gjendje të luftojë një ushtri milionëshe ruse”, tha presidenti ukrainas.
E nëse kjo do të ndodhë, Zelensky beson se do të ketë pasoja të rënda për pozitën e SHBA-së në botë si dhe për Trumpin personalisht.
“A dëshiron ai të bëhet një president humbës?”, tha Zelensky.
Zelensky vazhdoi: “Kjo nuk ka të bëjë me Trumpin si person, por me institucionet e Shteteve të Bashkuara. Ato do të bëhen shumë të dobëta. SHBA-ja nuk do të jetë më lideri i botës. Po, do të jetë i fuqishëm, para së gjithash, në ekonominë vendase sepse ka një ekonomi të fuqishme pa dyshim. Por për sa i përket ndikimit ndërkombëtar do të jetë i barabartë me zero”.
Dhe kjo përfundimisht do të përfundonte në katastrofë globale: “Fillimi i asaj për të cilën të gjithë kanë kaq frikë të flasin. Ky është realiteti. Dhe kjo është lufta e vërtetë e tretë botërore.”
Ndryshe, Zelensky komentet i tij i bëri një ditë përpara se gjykata e New York-ut të dënonte Trumpin për 34 akuzat për falsifikim.
Lideri ukrainas tha se e kishte ftuar ish-presidentin amerikan të vizitonte Ukrainën.
“Dua të flas hapur me të. Unë dua që ai të vijë dhe ta shohë vetë luftën”.