Fjalë Kyçe

Zgjedhje të parakohshme me sfida të vjetra 21 tetor, 2019

Zgjedhje të parakohshme me sfida të vjetra 21 tetor, 2019

Zgjedhjet parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, të caktuara më 12 prill, do të pamundësojnë mbajtjen e regjistrimit të popullsisë të paraparë nga data 1 deri më 21 prill të vitit 2020, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse partitë do të arrijnë të miratojnë edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Sipas drejtuesve të partive politike, të cilat të dielën në mbrëmje u morën vesh për datën e zgjedhjeve, këto procese konsiderohen si shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, por edhe si nevojë e domosdoshme për zhvillimet në vend, në veçanti regjistrimi i popullsisë, por pa dhënë ndonjë garanci nëse edhe do të realizohen.

Maqedonia e Veriut thuajse 20 vjet nuk ka regjistruar popullsinë, që e bën të paqartë numrin e popullsisë dhe rrjedhimisht numrin e listës së votuesve, ndërkohë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë të bëjnë me ndryshimin e modelit zgjedhor, përkatësisht numrin e njësive dhe ndryshimet tjera bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR.

“Regjistrimi i popullsisë ishte paraparë të bëhet pranverën që vjen…unë vlerësoj se ai duhet të mbahet, para apo pas zgjedhjeve, por këtë çështje nuk e diskutuan në takimin e liderëve”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ndërsa sa i përket rregullativës zgjedhore, kreu i qeverisë tha se për këtë ka kohë nëse do të ketë vullnet politik.

“Unë besoj se këtë do të arrijmë ta bëjnë, në veçanti sa i përket rekomandimeve të OSBE-së. Diskutuan edhe për modelin zgjedhor, por kishte edhe nga ata që nuk donin debatin për këtë çështje ndërkohë që edhe afatet këtë e vështirësojnë”, u shpreh Zaev.

Sa i përket regjistrimit, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, tha se më rëndësi është që të ketë mbarëvajtje të zgjedhjeve, ndërsa për regjistrimin e popullsisë tha se do të shihet mundësitë për plotësimin edhe të këtij detyrimi.

“Është biseduar edhe për këtë çështje dhe do të shihet se si do të menaxhohet. Me rëndësi është që të respektohet data e zgjedhjeve dhe të shihet se kur do të ketë mundësi teknike për realizimin e regjistrimit”, ka deklaruar Ahmeti.

“Për mua regjistrimi mund të bëhet edhe gjatë kohës së zgjedhjeve, edhe gjatë fushatës sepse në fund të fundit është proces teknik në të cilin duhet të angazhohen njerëz teknikë dhe jo anëtarë të partive politike”, ka deklaruar Sela.

Por, VMRO-DPMNE-ja opozitare, e cila në vazhdimësi ka kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, vlerëson se regjistrimi nuk mund të mbahet pa plotësimin e të gjitha kritereve ndërkombëtare.

“Ne kërkojmë që të veprojmë sipas udhëzimeve të Eurostat-it. Kërkojmë që regjistrimi të jetë operacion statistikor dhe jo politik dhe do të ishte mirë që regjistrimi të mbahet pasi të përfundojë dekada, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet evropiane. Pra, një nga kërkesat tona është edhe kjo që regjistrimi të mbahet në vitin 2021”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Sa i përket Kodit Zgjedhor, kreu i opozitës tha se rekomandimet e OSBE-së mund të përfshihen në ndryshimet ligjore, por jo edhe ndryshimet sa i përket njësive zgjedhore apo listave të hapura, për shkak të kohës së pamjaftueshme dhe dallimeve të mëdha që ekzistojnë mes partive.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme janë propozuar nga kryeministri, Zoran Zaev pasi Maqedonia e Veriut nuk arriti të marrë datën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Zaev ka marr përgjegjësinë për këtë edhe pse vendimin e krerëve të BE-së e kishte quajtur “gabim historik të BE-së” pasi sipas tij vendi kishte plotësuar të gjitha kushtet kërkuara nga Maqedonia e Veriut, përfshirë zgjidhjen e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, që llogaritej si pengesa e vetme në rrugën e integrimit evropian.

Drejtuesit e partive politike në takimin me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski gjithashtu kanë theksuar përkushtimin për integrimin evropian duke theksuar se “NATO-ja dhe Bashkimi Evropian mbeten alternativa e vetme për Maqedoninë e Veriut”.