Miliona turq votuan këtë të dielë në zgjedhjet lokale anembanë vendit, të cilat konsiderohen si një “referendum” për politikat e presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Rezultatet paraprake flasin për një përmbysje historike të partisë kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), e cila mban një kryesim të brishtë në kryeqytetin Ankara. Ndërkohë, në qytetin me popullsinë më të madhe të vendit, Stamboll, rezultatet janë aq shumë të ngushta, sa që nuk mund të përcaktohet një fitues, edhe pse partia qeveritare AK duket se kryeson.
Më shumë se 57 milionë shtetas turq ishin regjistruar me të drejtë vote për të zgjedhur kryebashkiakët dhe këshilltarët e rinj.
Zgjedhjet vijnë në një periudhë tejet të turbullt dhe mes vështirësish ekonomike. Turqia ka rënë në recesion pas shumë vitesh rritjeje ekonomike, inflacioni ka shkuar në nivelin 20 për qind, ndërsa lira turke ka rënë me më shumë se një të tretën e vlerës.
Presidenti Erdogan i quajti zgjedhjet si jetike për të përcaktuar “mbijetesën” e vendit dhe partisë së tij “për Drejtësi dhe Zhvillim” (AKP), e cila ka dominuar politikën vendase për 16 vite. Këto janë të parat zgjedhje lokale në vend, që kur Erdogani mori fuqi më të zgjeruara ekzekutive në rolin e presidentit, përmes referendumit të vitit të kaluar.
Sa i përket rasteve të dhunshme të lidhura me zgjedhjet, dhjetëra persona kanë mbetur të lënduar në përplasje anembanë vendit. Dy persona janë qëlluar për vdekje në një qendër votimi në qytetin lindor Malatya, ndërsa raportime lokale flasin se sherri nisi pasi një burrë refuzoi të futej në “dhomën e fshehtë” të votimit, duke preferuar të votojë haptazi.