Në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, veteranë i Luftës së Kosovës dhe baba i dëshmorit, Islam Bytyqi shprehu mllefin që ka ndaj pushtetarëve.
Sipas tij, ata po e njollosin gjakun e dëshmorëve dhe vlerat e luftës.
E madje ata po përfitojnë personalisht nga kjo.
E për T7 ai tregoi për arsyet që e nxitën të reagojë në këtë mënyrë në Landovicë.
“Unë shpërtheva u mbush kupa se shumë padrejtësi. Këtu nuk trajtohen si duhet familjarët e dëshmorëve, invalidëve. Kurrë nuk i them shoqatës me më pru bukë po trajtona si njerëz. Kur shkoj në komunë pritna mirë.”
Islam Byqyti është i zhgënjyer me mënyrën se si janë kujdesur për lapidarin e dëshmorëve në fshatin Landovicë.
“Ky është lapidari i dëshmorëve që është i rrëzuar në mungesë të kujdesit. Unë e kam prit që Serbia më vret, por kurrë nuk e kam prit që dëshmorët të rrinë në baltë. Komuna nuk ka marrë hapa.”
Ai tha se asnjëherë nuk është bërë pishman për pjesëmarrje në luftë, mirëpo e ka vetëm një kërkesë për institucionet.
Unë si Islam Bytyqi kurrë mos të më vijnë e të më nderojnë si islam, por të na nderojnë si të gjithëve.
Duhet të kujdesën për familjarët e dëshmorëve si duhet por, jo në këtë mënyrë. Kur erdhën me xhipa me gella, prej klimës, neve na ka mbyt dielli. Ajo t prekë kur i sheh nënat e gratë e dëshmorëve në zi ende.”
Mes të tjerash, Bytyqi tregoi edhe për momentin e vdekjes së djalit të tij, Agron Bytyqit.
“Djali im ka vdekë me 27 maj më 1999, në Qëndresë në fshatin e Nait Hasanit. 12 ditë para lirisë. I ka marrë 13 plagë. Ai i ka dhënë ndihmë shokut të tij e vet ka vdekë. Vllau i tij e ka mbajtë. Gjashtë ditë ka jetuar me ato plagë. Kanë tentu me e largu për në Shqipëri. Në 12:40 minuta ai ka vdekë aty dhe e kanë varros në Qëndresë.”
Ndërkaq, pati edhe një kërkesë për më shumë respekt për familjet e dëshmorëve e veteranët e luftës.
“Iu bëj thirrje të gjitha shoqatave, hapni sytë e kontrollojeni Veten pak respektoni kategoritë e dala nga lufta, sidomos viktimat se të gjithë kanë dhënë shumë. Ato duhet t’i respektojmë e duhet të kujdesemi për të gjithë.”
Islam Bytyqi është veteranë i luftës së fundit në Kosovë, djali i të cilit vdiq duke luftuar për lirinë e vendit.