Dy studiues të peshkaqenëve, të cilët u përballën drejtpërdrejt me njërin prej peshkaqenëve më të mëdhenj të llojit të vet, po e përdorin këtë veprim si mundësi për krijimin e legjislacionit për mbrojtje të peshkaqenëve në Hawaii.
Ocean Ramsey, një hulumtuese e peshkaqenëve, thotë se ka qëndruar afër një peshkaqeni të gjatë gjashtë metra. Kjo ngjarje është dëshmuar me fotografi, të cilat janë shpërndarë në rrjetet sociale nga i fejuari i saj, Juan Oliphant. Departamenti për Resurse Natyrore ka thënë se i kanë parë fotografitë dhe se peshkaqeni ka qenë duke u ushqyer me një balenë të ngordhur.
Personi që bëri fotografitë thotë se ky peshkaqen mund të jetë më i madhi nga lloji i peshkaqenëve të bardhë. Ndërkaq, zhytësja Ramsey ka thënë se ka bërë fushatë për vite të tëra që të ndalohet vrasja e peshkaqenëve dhe se shpreson që një gjë e tillë të rregullohet së shpejti me ligj.
Ajo thotë se fotografitë e saj pranë peshkaqenit dërgojnë porosinë se këto gjallesa duhet të mbrohen. Sidoqoftë, ajo nuk i këshillon të tjerët që të qëndrojnë afër peshkaqenëve, sidomos kur janë pranë një burimi të ushqimit. Ramsey thotë se trajnimet e gjata dhe studimi i sjelljes së peshkaqenëve e ka bërë që të jetë e sigurt pranë grabitqarit, shkruan “The Guardian”.