Fjalë Kyçe

Zvicra vendos të mos marrë masa të reja kufizuese

Zvicra vendos të mos marrë masa të reja kufizuese

Autoritetet shëndetësore në Zvicër kanë vendosur kundër masave të reja në mbarë vendin për të frenuar koronavirusin e ri, por u ka bërë thirrje qytetarëve që të dyfishojnë angazhimet për rekomandimet për higjienën dhe distancën sociale, raporton agjencia Reuters.

“Infeksionet me koronavirus po rriten sërish fortë dhe shpejt. Koha po mbaron dhe i bëjmë thirrje gjithë popullit të kontribuoj për të mbajtur virusin nën kontroll. Sa më shpejt të veprojmë, aq më të vogla do të jenë kufizimet për popullin dhe ekonominë”, ka deklaruar presidentja e Zvicrës, Simonetta Sommaruga, në konferencë për media në Bern pas takimit me zyrtarët federal e kantonal.

Zvicra të enjten ka regjistruar 2613 raste të reja me koronavirus, shifra e dytë më e lartë ditore e regjistruar që nga fillimi i pandemisë. Dje u regjistrua rekord prej 2823 raste. Janë regjistruar dy të vdekur në 24 orët e fundit.

Ministri i Shëndetësisë, Alain Berset, ka thënë se autoritetet janë të shqetësuara, por e vlerësojnë se situata është nën kontroll.

“Synimi është të evitohet mbyllja dhe mbingarkimi i spitaleve”, ka thënë ai, duke shtuar se situata nuk është e krahasueshme me shkurtin dhe marsin, kur ishin kapur në befasi nga pandemia.

Ai ka thënë se nuk sheh arsye pse të ndalë ngjarjet e mëdha si ndeshjet e futbollit e hokejit në akull.