Fjalë Kyçe

31.5 milionë euro borxhi i Ministrisë së Mjedisit për shpronësime

31.5 milionë euro borxhi i Ministrisë së Mjedisit për shpronësime

Në mungesë të buxhetit Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) nuk ka paguar obligimet financiare të shpronësimit në vlerë prej 31 milionë e 591 mijë e 176 eurosh. Kjo, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA) për këtë ministri, është vlera e aplikimeve ose kërkesave të pronarëve për kompensim të shpronësimit në vitin 2019, të cilat nuk kanë arritur të procedohen për pagesë.

Sipas raportit të ZKA-së për këtë ministri, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore të ndara për shpronësime. Moskryerja e këtyre pagesave, sipas ZKA-së, ndikon që kjo shumë të rritet. Kjo ndodh për shkak të vendimeve gjyqësore që mund të merren me aprovim të padive nga ana e atyre që iu kanë shpronësuar pronat.

“Moskryerja me kohë e obligimeve financiare për shpronësime ndikon që Ministria të përballet me padi nga ish-pronarët e pronave të shpronësuara, ku për shkak të taksave gjyqësore rritet edhe më shumë obligimi ndaj shpronësimeve”, thuhet në raportin e ZKA-së. Prandaj është rekomanduar që ministri i MMPH-së në bashkëpunim me aktorët e tjerë të ndërlidhur në këtë proces të sigurojnë buxhet të mjaftueshëm për t’i kryer obligimet financiare të shpronësimeve, të cilat thuhet se janë duke u rritur nga viti në vit.

E më shumë se gjysmë milioni euro është vlera që MMPH-ja ka paguar gjatë vitit të kaluar përmes vendimeve gjyqësore, që lidhen me procesin e shpronësimit. “Ne kemi identifikuar se shpenzimet e realizuara përmes vendimeve gjyqësore ishin 583 mijë e 667 euro. MMPH paguan vazhdimisht shpronësime përmes vendimeve gjyqësore. Kjo, për shkak se pronarët që kanë qenë pjesë e procesit të shpronësimit, në rastet kur ata janë të pakënaqur me vendimin përfundimtar të shpronësimit, kanë të drejtë të ankohen në gjykatë”, thuhet ne raport. Auditori ka gjetur se në disa raste kur pala fiton kontestin, nuk dërgon dokumentacionin e nevojshëm për pagesë në ministri, si kopjen e llogarisë bankare dhe letërnjoftimit, por e dërgon direkt te përmbaruesi. Kjo thuhet se shkakton shpenzime shtesë për procedura përmbarimore. “Nga pagesat e bëra ne kemi testuar gjithsej 5 mostra në vlerë 432 mijë e 398 euro, ku në kuadër të kësaj vlere kemi vërejtur se ishin paguar shpenzime përmbarimore në vlerë 9 mijë e 371 euro”, thuhet në raport. Kjo thuhet se ka ndodhur për shkak të pamundësisë që kishte Ministria për t’i siguruar kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për procedim të pagesës. “Shpenzimet e taksave përmbarimore nuk i shtojnë vlerë arritjes së objektivave dhe rrjedhimisht ndikojnë në dëmtimin e buxhetit të Ministrisë. Ministri duhet të sigurojë që pas pranimit të vendimeve nga Gjykata të sigurojë kompletimin e dokumentacionit nga akterët e përfshirë në proces, me qëllim që lënda të kompletohet dhe të procesohet për pagesë”, thuhet në raport.