Gjendja alarmante e gripit sezonal në Kosovë ka kaluar. Në javët e para të muajit mars ka pasur rënie të dukshme të këtij virusi, kurse në javët e ardhshme pritet që gjendja të jetë nën pragun minimal të të sëmurëve me influencën A.
Të paktën kështu thonë drejtuesit e tri klinikave në QKUK që e trajtojnë këtë virus, ajo Infektive, Pulmologjike, dhe Pediatrisë.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, ata rekomandojnë qytetarët dhe fëmijët që të ruhen ende dhe mos të qëndrojnë në hapësira të mbyllura dhe të konsumojnë sa më shumë vitamina.
Kurse, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bëhet e ditur se brenda gjashtë muajve, mbi 46 mijë persona në tërë Kosovën kanë qenë të prekur me grip.
Drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani tha për KosovaPress se në dy javët e fundit ka rënie të sëmundjes së gripit dhe se gjatë javës së ardhshme pritet të ulet dhe më tepër.
Sipas tij, deri më tani janë rreth 25 të trajtuar ku katër prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Për këta të fundit, Ramadani thotë se janë duke u trajtuar me gjitha preparatet e nevojshme.
Për drejtorin e Klinikës Infektive gjatë kësaj periudhe të fillim vitit rreth 200 të sëmurë janë ndalur për mjekim, kurse rreth 550 tjerë kanë marrë vetëm shërbime.
Të gjithë këta, siç thotë Ramadani nuk kanë qenë të vaksinuar dhe për këtë arsye gripi ka pasur ndikim më të madh tek ata.
“ Këto dy javët e fundit sidomos javën e fundit të këtij muaji që jemi, java e fundit e muajit mars, ne kemi një rënie të sëmundjes epidemike të gripit ose influencës….. ne shpresojmë që javën që vjen ajo do të ulet edhe më tepër. Do të kemi rënie dhe më tepër të asaj që quhet valës epidemike të influencës. Shpresojmë që kjo do të jetë një epidemi ose influencë, e cila do të kalojë. Kemi diku rreth tridhjetë raste të cilat janë duke u trajtuar. I kemi dhe katër të sëmurë të rëndë, në gjendje të rëndë nga këta katër të sëmurë, dy janë dhe të intimuar, qëndrojnë në mjekim intensiv. Janë në reaminacion….kurse kemi dhe dy të tjerë të cilët janë në atë që e quajmë në paradhomën, gjysmë intensive ta quajmë të cilët janë duke u trajtuar dhe marr terapi…asnjë nga këto raste që tregova, numër shumë i madh, diku mbi 700 raste që kanë ardhur në klinik, nuk kanë qenë të imunizuar të vaksinuar. Që do të thotë se e ka vërtetuar që vaksina antigripoze është arma e vetme dhe më e mira në kuptimin e parandalimit të sëmundjes”, tha Ramadani.
Për drejtoreshën e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, gjendja alarmante tashmë ka kaluar dhe se gjithë qytetarët duhet ta dijnë se ata që kanë vdekur kanë pasur sëmundje tjera bazë dhe jo vetëm për shkak të gripit sezonal.
Mehmeti bën të ditur se në klinikën që ajo drejton, momentalisht janë dy raste që po trajtohen me grip, pavarësisht se në fillim gjendja e tyre ka qenë e rëndë, tash me anë të terapive janë më mirë.
“Nuk është ndonjë alarm i madh që duhet me u frikësuar shumë, mirëpo duhet me u ruajt. Normal është shumë me rëndësi se tekne dhe sot e kësaj dite ekziston ajo që kur sëmuret dikush të vrapojmë dhe e vizitojmë në shtëpi. Është mirë që të mos ketë dyndje të njerëzve në kohën e viruseve. Sa më pak të frekuentojnë në vende të mbyllura dhe sa më pak të bëjnë vizita në shtëpi”, tha Mehmeti.
Përveç qytetarëve të moshës madhore, gripi sezonal më shumë i prek dhe fëmijët për shkak të imunitetit të dobët.
Sipas drejtoreshës së Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku vetëm brenda 24 orëve ndodhë që vijnë për t’u kontrolluar 140 deri në 150 fëmijë për shkak të viruseve të ndryshme, e që sipas saj nuk janë të rënda dhe se momentalisht nuk është duke u trajtuar ndonjë fëmijë në gjendje të rëndë.
Për rastet që konfirmohen që janë me grip, Telaku u shpreh se i dërgojnë menjëherë në Klinikën Infektive, pasi ka rrezik që infeksioni të bartet te fëmijët tjerë.
“Në Emergjencën Pediatrike kontrollohen 100 ndonjëherë më shumë, ka në dite deri në 140-150 fëmijë brenda 24 orëve. Kemi periudha dhe pak më të qeta, por gjatë periudhës së stinës së dimrit, numri i fëmijëve është shumë i lartë që kontrollohet… rastet që dyshojmë që janë qind për qind me influencë ata i dërgojmë dhe në Klinikën Infektive. Sepse pranimi i këtyre fëmijëve në klinikën tonë do të thotë se menjëherë ai fëmijë do të bart infeksionin tek fëmijët e tjerë”, shpjegon Telaku.
Kurse, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjithashtu vlerëson se epidemia e gripit sezonal ka rënie të dukshme në intensitet.
Sipas tyre, nga 1 tetori deri më 19 mars janë shënuar gjithsej 46 mijë e 373 raste të dyshimta me grip.
Mes tjerash, pavarësisht kësaj, Instituti iu rekomandon gjithë qytetarëve që të kenë akoma kujdes dhe të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, si dhe të përdorin sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.
“Nga 1 tetori i 2018 deri më 10 mars 2019 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 46.373 raste të dyshimta në grip. Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës. Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit, dhe Podujevës. Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri me 12 mars 2019 janë testuar gjithsej 905 mostra të dyshimta në Influencë dhe prej tyre 363 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A. Epidemia e gripit sezonal ka rënie të dukshme në intensitet”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Mirëpo, qytetarët kanë mendime të ndryshme për trajtimin nga mjekët.
Sipas një qytetari nga Prizreni për shkak të neglizhencës së mjekëve në Klinikën Infektive, babai i tij, tash e sa ditë është në gjendje kome, pasi që siç thotë ai, babai i tij ka pasur grip, por ka qenë në gjendje të mirë fizike.
Për këtë qytetar, brenda 15 minutash, pas pranimit në spital, sa nuk kanë qenë aty, ai ka humbur vetëdijen dhe pa arsye atë e kanë dërguar në emergjencë, pasi sipas tij, ai nuk ka pasur sulm kardiak, por vetëm është dashur të pajiset me oksigjen të mjaftueshëm.
“Në Prishtinë kur ka ardhur, me mu bashkë ka ardhur në këmbë në gjendje shumë të mirë. Dhe çka ka ndodhur, ka ardhur kam bërë pranimin është hospitalizuar për një kohë 15 minuta deri sa kemi sjell disa gjëra, ka thirr koleg i dhomës i cili ka thënë se plaku nuk është në gjendje me vetëdije. Sipas gjitha gjasave ajo ka ndodhur si lloj ankthi, apo si mungesë e oksigjenit dhe paralel me të dhe frika e ka qitë në gjendje kome. Mjekët këtu nuk kanë reaguar mirë, sipas mendimit tim, sepse e kanë çuar në urgjencë me qëllimin se gjoja ka pasur sulm kardiak. Në urgjencë del se nuk ka pasur sulm kardiak, në bazë të parametrave të aparaturës… gripi është shumë i madh, fatkeqësisht sa jemi këtu s’ka ditë që nuk vdes, që se shohim nga një pacient që ecë… fajtor janë krejt i madh i vogël se këto gjëra duhet të ngriten në kapacitetin e mjekësisë dhe duhet të merren masa më të mëdha”, shprehet ai.
Ndërsa, Avdullah Sadikaj nga Suhareka thotë se duhet të merren më shumë masa që mos të hyjnë shumë qytetarë në Klinikën Infektive, pasi siç konsideron ai, aty më shumë po merren viruset gjatë vizitave.
“Mjekët për gripa janë shumë mirë, por shqiptarët nuk po i marrin ato masat për me hy. Por hyn tek njeri, mandej gripi menjëherë po ja ngjet atij tjetrit. Ky spital është mos me hy çdo kush, ai po hyn pa grip po e merr qat gripin dhe po sëmuren nga familja e tyre, po i shkakton do gjëra tjera, do gripa tjera”, thotë Sadikaj.
Për shkak të gripit sezonal është formuar një komitet në nivel të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i cili ka përcjell gjendjen epidemiologjike me gripin sezonal.