Fjalë Kyçe

Lehtësohet puna për mjekët e Klinikës së Gjinekologjisë

Lehtësohet puna për mjekët e Klinikës së Gjinekologjisë

Puna për mjekët në Klinikën e Gjinekologjisë është lehtësuar, qëkur kanë pranuar thikën ultrasonike, një pajisje që e bën intervenimin më të sigurt në rastet e komplikuara operative.

Me të, ndërhyrja kryhet më lehtë e më shpejt dhe, veç prerjes, bëhet edhe qepja, pa pasur nevojë për intervenim me penj e gjilpërë, njofton kumtesa.

Shefi i Operativës në Klinikën e Gjinekologjisë, Zef Ndreja, thotë se thika ultrasonike ka qenë e domosdoshme, pasiqë, në mungesë të saj, ishin të detyruar që rastet t’i punonin me dorë.

“Është një lehtësim i madh si nga shkurtimi i kohës, poashtu edhe nga procedura e sigurisë, domethënë gjakderdhja është më e vogël dhe siguria është më e madhe në punë. Prej kur ka ardhur, është përdorur në 27 raste”.

“Derisa nuk ishte kjo aparaturë, jemi detyruar të punojmë vetëm me dorë. Shumë raste janë vështirësuar, ka pasur gjakderdhje më shumë, koha e përmirësimit ishte më e vështirë. Kështu që, kjo e lehtëson punën shumë”, thotë Ndreja.

Klinika e Gjinekologjisë është pajisur me thikë ultrasonike vitin e shkuar. Për ta rritur cilësinë e shërbimeve, Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK, njëkohësisht, e kanë furnizuar këtë klinikë edhe me histeroskop, laparaskop, tavolina gjinekologjike-operative dhe llamba operative për të gjitha sallat.