Ministrja Manastirliu pohon se në Shqipëri nuk ka as grip derri, as epidemi gripi
“Shqipëria ka një qarkullim me intensitet mesatar të gripit, por nuk jemi në epidemi”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë një interviste televizive.
Manastirliu tha se bëhet fjalë për virusin stinor, jo grip derri, i cili prej 10 vitesh është transformuar në grip sezonal.
“Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa për vaksinën e gripit duke e ofruar falas për atë pjesë të popullatës më të riskuar, të moshuarit, gratë shtatzëna, personel shëndetësor”, tha Manastirliu.
Komplikacionet nga gripi gjatë muajit Janar, kanë shënuar 3 viktima tek persona të prekur nga një grup sëmundjesh, transmeton atsh.
Janë rreth 200 raste me grip të konfirmuara nga analizat e Institutit të Shëndetit Publik. Dhe 19.000 personat me infeksione respiratore. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hapur 4 qendra shëndetësore 24 -orëshe në Tiranë, për të përballuar urgjencat pediatrike.